Presidenti i La Ligas, Javier Tebas beson se Cristiano Ronaldo dhe Antoine Griezmann nuk do të ndryshojnë klubet këtë verë.
Ylli i Real Madridit ka bërë deklarata befasuese pas finales së Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit, duke lënë të kuptohet se do të largohet nga Bernabeu.
Edhe francezi Griezmann është lidhur me një largim nga Atletico drejt Barcelonës, por Tebas beson se asnjëri nga dy lojtarët nuk do të ndryshoj ambient.
Shefi i ligës spanjolle gjithashtu beson se futbolli në Spanjë tani është ‘më pak i varur’ nga lojtarët e tyre, duke përmendur si rast largimin e Neymarit nga Barcelona verën e kaluar.
“Unë besoj se Cristiano Ronaldo do të qëndrojë në Real Madrid”, ka thënë fillimisht presidenti i La Ligas në një intervistë me Onda Cero.
“Edhe Antoine Griezmann do të qëndrojë në Atletico”. shtoi ai.
“Cilat janë shanset që Cristiano të largohet? Nga 10, unë do të thosha pesë apo ndoshta edhe katër, nuk jam i shqetësuar”.
“Pavarësisht nga këto lëvizje, unë nuk mendoj se kjo është e dëmshme për ligën, sepse jemi duke u bërë më pak të varur nga lojtarët tanë më të mirë”, përfundoi Tebas. /Telegrafi/