Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke folur për liberalizimin e vizave për kosovarët, deklaroi se kjo çështje asnjëherë nuk ka pasur vëmendje më të madhe nga BE-ja.
I pyetur se a mund të përfundojë ky proces deri në fund të vitit, Lajçak tha se nuk mund të japë data, por shtoi se shpreson që vendimi të merret sa më shpejt të jetë e mundur.
“Po e përsëris që nuk kam të drejtë të përmend data se kur do të ndodhë, por mbështetja dhe vëmendja për këtë çështje kur nuk ka qenë më e madhe dhe po shpresoj që sa më shpejtë të merret vendimi”, deklaroi emisari i BE-së në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në Prishtinë.
Sipas tij, vendimi është në duart e vendeve anëtare të BE-së, ndërsa tha se po e shfrytëzon çdo mundësi për ta ritheksuar se Kosova i meriton vizat, pasi i ka përmbushur të gjitha kriteret.
“E kuptoj këtë plotësisht se sa e rëndësishme është kjo çështje për ju. Jam plotësisht me ju. Kosova e meriton liberalizimin e vizave sepse i ka përmbushur kriteret. Po e shfrytëzoj çdo mundësi kur flas me vendet anëtare duke e ritheksuar këtë çështja dhe jam i vetëdijshëm se sa e rëndësishme kjo çështje është”, pohoi Lajçak.
“Vendimi është në duart e shteteve anëtare, por ajo që mund të them është se kjo çështje është në qendër të vëmendjes. Javën e kaluar kur janë takuar udhëheqësit e BE-së kanë diskutuar për liberalizimin e vizave për kosovarët, si një proces që duhet të përfundojë”. /Telegrafi/