Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sot do të takohen sërish për një tentativë tjetër për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.
Pas takimit të djeshëm, zyrtarët e të dyja partive thanë se ka lëvizje drejt marrëveshjes, mirëpo deri tani nuk ka asgjë të sigurt se ajo mund të nënshkruhet sot.
Lidhur me këtë, anëtarja e Kryesisë njëherësh edhe deputete e LVV-së, Albulena Haxhiu një një prononcim për Telegrafin ka theksuar se nuk mund të kenë garancë që marrëveshja do të nënshkruhet sot.
“Siç jeni në dijeni, takimet kanë rifilluar dhe nga qëndrimet e ngurta, mbrëmë ka pasur lëvizje. Unë padyshim që do doja të thoja që marrëveshja nënshkruhet sot por nuk mund të kemi garancë që kjo do të ndodhë sot edhe përkundër vullnetit tonë të madh. Prandaj presim e shohim se cili do të jetë epilogu i takimit të sotëm”, ka thënë Haxhiu.
Kujtojmë se takimi i sotëm do të zhvillohet në orën 15:30, ndërkaq është i treti me radhë pas zhvillimeve të seancës së 26 dhjetorit ku Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, LV-ja ka dalë e para e pasuar nga LDK-ja, ndërkohë për më shumë se tre muaj dy partitë kanë dështuar të arrijnë një marrëveshje për koalicion, edhe përkundër faktit se ishin pajtuar për programin qeverisës.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, pas kalimit të afatit 48 orësh, pritet që gjatë këtyre ditëve të dërgojë shkresë zyrtare tek presidenti Thaçi me emrin e mandatarit për kryeministër. /Telegrafi/