Ish-kampioni në peshat e super të mesme në boks, Carl Froch, e ka paralajmëruar Anthony Joshuan kundër një meçi me Deontay Wilder.
Ylli i dikurshëm i boksit e ka këshilluar britanikun që të shmangë një duel me amerikanin në të ardhmen, për shkak të stilit të tij me goditje të forta.
AJ i humbi titujt e botës në kategorinë e peshave të rënda në divizionet WBA, WBO, IBF dhe IBO kur u përball me Oleksandr Usyk në shtatorin e kaluar në Tottenham Hotspur Stadium.
32-vjeçari duhej ta zhvillonte rimeçin me ukrainasin këtë pranverë, mirëpo kampioni është kthyer në vendlindjen e tij për të luftuar kundër pushtimit rus.
Derisa konflikti po vazhdon gjasat që Joshua të përballet me Usyk në një të ardhme të afërt janë të vogla, ndërkohë që po spekulohet për kundërshtarët tjerë potencialë të britanikut, me Joe Joyce si një opsion real.
Në ndërkohë, tifozët e boksit janë shumë të interesuar të shohin një përballje ndërmjet AJ dhe Wilder (ky i fundit e humbi titullin WBC ndaj Tyson Furyt, i cili e mposhti edhe në duelin e famshëm të trilogjisë).
Megjithatë, Froch e ka këshilluar Joshuan të mos përballet me ish-kampionin e botës në kategorinë e peshave të rënda, përkundër humbjeve të njëpasnjëshme nga Fury.
“Nga pikëpamja biznesore, mos u ndesh me Deontay Wilder, sepse do të përjetosh goditje të rënda. Ai është një grushtues masiv, ekziston mundësia e nxjerrjes së mjekrës nga vendi”.
“Nuk më intereson nëse emri yt është Anthony Joshua apo cilido qoftë emri i yt në kategorinë e peshave të rënda; ai mund të të nokautojë me një goditje”.
“Tyson Fury ishte shumë pranë që ta përjetonte atë në disa raste”, ka deklaruar Froch, transmeton express.co.uk.
Fury dhe Wilder u ndanë baras në duelin e vitit 2018, por Gypsy King u rikthye për t’ia marrë titullin WBC ‘Bomberit të Bronztë’ në shkurt të vitit 2020. Tyson e kompletoi trilogjinë me një triumf fantastik në tetor të vitit 2021. /Telegrafi/