Presidentja e vendit, Vjosa Osmani të enjten ka ftuar në takim krerët e partive opozitare në vend për të diskutuar lidhur me zhvillimet e fundit në vend.
Takimit i është përgjigjur vetëm kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku kanë refuzuar ftesën e Osmanit, duke e konsideruar si të vonshme.
Krasniqi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se të mërkurën ka pranuar nga presidentja Osmani një letër me të cilën e ka ftuar në takim, pas një propozimi nga kryetari i AAK-së.
Tutje ai tha se gjatë këtyre ditëve të vështira për Kosovën, me indinjatë ka vërejtur se Presidentja ka qëndruar e heshtur dhe ka neglizhuar obligimin e saj kushtetues për të garantuar unitetin qytetar, për të ruajtur marrëdhëniet me partnerët strategjikë ndërkombëtarë dhe për të vepruar si institucion mbi palët, raporton Telegrafi.
“Prandaj, duke u nisur nga këto, por edhe arsye të tjera që i kam shtjelluar në letrën e përgjigjes së sime e kam parë të udhës që ta refuzoj pjesëmarrjen në këtë takim”, tha Krasniqi.
Ftesën e Osmanit e ka refuzuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka thënë se ka përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit politike në vend, siç është shprehur ai, qasjen e papërgjegjshme të kryeministrit Kurti në raport me ShBA-në, BE-në dhe NATO-n.
Abdixhiku ka thënë se LDK nuk mund të pranojë as të tolerojë përplasje të Kosovës me aleatët e saj.
Ndërkaq, ftesës së presidentes Osmani për takim i është përgjigjur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
E në njoftimin e Presidentes thuhet se Osmani e ka parë të nevojshme që të mbajë komunikim të rregullt edhe me partitë opozitare, nëpërmjet ftesave të vazhdueshme për takime e ngjarje të ndryshme.
Osmani në takimin me Haradinaj, siç thuhet në njoftim ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
Presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës.
Sipas presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar.
Pavarësisht kësaj, Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.
Ndërkaq, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se i ka shprehur asaj shqetësimet për humbjen e besimit të partnerëve dhe ndëshkimet që sipas tij po merr vendi.
Haradinaj tha se presidentes i ka kërkuar që të veprojë në përputhje me mandatin e saj, të kthejë besimin e aleatëve dhe të ndodh deeskalimi i situatës në veri të vendit.
“Biseda ishte e hapur, i shpreha shqetësimet për situatën, shqetësimet e mija për humbjen e besimit të partnerëve tanë, për ndëshkimet që po merr Kosova, për vështirësitë që do t’i kemi nëse nuk dalim nga kjo gjendje.
I kërkova Osmanit që të veprojë në përputhje me mandatin e vet, që ta kthejë besimin me aleatët tanë, të ndalen ndëshkimet, të ndodh një deeskalim i situatës në veri, t’i kthehemi te arriturave të dialogut, marrëveshjes së Ohrit dhe Brukselit”, është shprehur Haradinaj.
Tutje theksoi se fitoret e Kosovës nuk janë të mundura pa mbështetjen e aleatëve.
“Nuk është kohë e kalkulimeve të vogla, mocioni ynë nuk ka të bëjë me luftë për pushtet, nuk jam kandidat për kryetar qeverie pas mocionit, deri në zgjedhjet e ardhshme, ka të bëjë më shumë me ruajt shtetin, me i ndalë ndëshkimet ndaj Kosovës, dhe me rikthy normalitetin në vend, në veri”, deklaroi Haradinaj para mediave. /Telegrafi/