Site icon Telegrafi

Takimi në Bruksel, Lajçak flet për kërkesat: Përgjegjësi për Banjskën, Asociacioni dhe njohja e dokumenteve e simboleve të Kosovës

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka njoftuar sot lidhur me rezultatet e takimit të së martës në Bruksel ndërmjet dy kryenegociatorëve, atij të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të Serbisë, Petar Petkoviq.

Lajçak në një postim në platformën X ka shkruar për temat që kanë diskutuar, gjersa ka thënë se është i lumtur që palët kanë rënë dakord për Komisionin e përbashkët për të zhdukurit dhe siç tha ai së shpejti do të organizojnë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët.

“Faleminderit Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviqit për bashkëpunimin e mirë dhe takimin konstruktiv trepalësh”, tha ai.

Tutje, Lajçak bëri të ditur se u ka thënë kryenegociatorëve se normalizimi i raporteve nënkupton integrim në Bashkimin Evropian dhe për këtë sipas tij nuk ka shkëputje mes të dy palëve.

Emisari i BE-së ka theksuar edhe hapat që duhen bërë për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, sipas konkluzave të Këshillit Evropian.

“Hapat e diskutuara e të përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zbatimin e Ohrit: de-përshkallëzimi, përgjegjësi për sulmet e vitit 2023, riintegrimi i serbëve të Kosovës, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe njohja e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”, shkruan ai në X.

I dërguari evropian është shprehur i lumtur që kanë përfunduar me sukses negociatat për funksionalizimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023.

“Së shpejti do të organizojmë mbledhjen e parë të Komisionit të Përbashkët”, shkruan ai. /Telegrafi/

Exit mobile version