Telegrafi

Takimi i Kurtit vetëm me NJSI-në i papranueshëm për Sindikatën, Zeqiri: Ku po mbetet pjesa tjetër e Policisë?

Takimi i kryeministrit Albin Kurti vetëm me Njësinë Speciale Intervenuese, i cili do të mbahet këtë të mërkurë, është i papranueshëm për Sindikatën e Policisë së Kosovës.

Kreu i kësaj sindikate, Imer Zeqiri, në një prononcim për Telegrafin tha se nuk janë të informuar zyrtarisht për këtë takim.

“Nuk e kam asnjë informacion zyrtar se a do të mbahet takimi dhe a do të jemi pjesë apo nuk do të jemi pjesë ne si sindikatë. E në rast se takimi ndodh vetëm me një njësi, për neve si sindikatë është e papranueshme. Kjo pasi kërkesat dhe pakënaqësitë rreth të gjitha kushteve dhe kërkesave që i kemi ne si sindikatë, e që janë kërkesa të Policisë së Kosovës, atëherë ku po mbetet pjesa tjetër e Policisë? Prandaj, për neve një takim vetëm me një njësi është i papranueshëm”, u shpreh ai.

Lexo po ashtu Kurti sot takon Njësinë Speciale Intervenuese të Policisë

Zeqiri tutje tha se pakënaqësitë në Policinë e Kosovës janë shtuar shumë, ndërsa përmendi disa prej tyre.

Imer Zeqiri – Kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës // Foto: Ridvan Slivova

“Kemi pasur edhe kërkesa paraprake në vazhdimësi, siç ka qenë sigurimi shëndetësor dhe jetësor, Ligji për pensionim, shujta ditore, udhëtimi, paga e 13-të, mandej këto që lindën pasi implementimit të Ligjit të Pagave, siç është shtesa për rrezikshmëri, e cila që nga implementimi i Ligjit të Pagave nuk pranohet në Policinë e Kosovës, e që kjo shtesë ka qenë e caktuar paraprakisht, po them ashtu siç e kemi pranuar në shtatë nivele, nga 105 deri në 250 euro”.

“Mandej, nga Ligji i Pagave rrodhën edhe pakënaqësitë e tjera apo eliminimi i disa benefiteve apo shtesave tjera, siç ka qenë shtesa për punë të veçantë, zvogëlimi i përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, mandej një benefit që e kanë marrë apo që ka qenë i bie i vetmi benefit për zyrtarët policorë që kanë arritë moshën 65-vjeçare të pensionimit, kanë marrë tre paga përcjellëse dhe këto i ka anuluar ky ligji që u implementu në shkurt”, theksoi kryetari i Sindikatës së Policisë.

Ai tha se nga takimi që do të mbahet pasdite pret që “kryeministri të reflektojë pozitivisht, sepse është i njoftuar me të gjitha kërkesat edhe pakënaqësitë në Policinë e Kosovës”.

Zeqiri po ashtu tregoi se Njësia Speciale Intervenuese ka një kërkesë specifike për dallim nga pjesëtarët e tjerë të Policisë së Kosovës.

“Përndryshe, kërkesat e tjera janë të njëjta, pakënaqësia është e njëjtë e të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Kërkesë e veçantë e NJSI-së është që ata të klasifikohen në koeficient të ekspertëve, që do të thotë një koeficient 11 apo 12 me Ligjin Pagave”.

Kreu i sindikatës komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Kurti se Njësia Speciale Intervenuese do t’i ketë nga 150 euro në muaj shtesa të rrezikshmërisë dhe sipas tij, kjo nuk është pak.

Ai tha se ky propozim është i papranueshëm për arsye se kjo njësi policore para implementimit të Ligjit të Pagave ka pranuar shtesë për rrezikshmëri 315 euro.

Në fund, Zeqiri foli edhe për dorëheqjet e vullnetshme nga Policia e Kosovës dhe paralajmëroi se do të ketë trend të rritjes në rast se nuk ka reflektim të Qeverisë karshi kërkesave të tyre.

“Që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më 31 dhjetor 2022 kemi mbi 2 mijë e 200 dorëheqje vullnetare nga Policia e Kosovës. Kurse vetëm për këtë vit, nga janari i këtij viti deri më tani kemi 86 dorëheqje vullnetare. Kryesisht këto dorëheqje janë për shkak të pakënaqësive dhe numri edhe paralajmërimet e dorëheqjeve janë në vazhdimësi, në rast se vërtet nuk plotësohen kushtet në Policinë e Kosovës”, përfundoi ai. /Telegrafi/