Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pasi janë ekzekutuar pagat për shërbyesit publikë me ligji e ri.
Përmes një shënimi në Facebook, Tahiri zyrtarët shtetërorë i ka quajtur “amatorë vendimmarrës”.
“Sot amatorët vendimmarrës dhe një kontigjent i vogël jo profesionistësh, ekzekutuan të ashtuquajturat paga”.
Ai thotë se qeveria është duke shtyrë një agjendë përmes së cilës i kërcënon shërbyesit “pranoni pagat ose lëreni punën”.
“Sot, shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën, u mashtruan. Ata në vend të pagave, pranuan transfere kuturu. Disave nuk u janë llogaritur shtesat, të tjerëve përvoja, rrezikshmëria, të tjerëve kompensimet tjera, e kështu me radhë. Prapa kësaj qëndron agjenda politike e kësaj qeverie, pranoni pagat ose lëreni punën”.
I pari i deputetëve të AAK-së thotë se në Kosovë nuk po qeveriset përmes ligjeve.
“Këta nuk qeverisin përmes ligjeve, në fakt ligjeve ju referohen vetëm për të shtyrë përpara turpin, që thellë, këta të paditur e kualifikojnë si Revolucion”, ka shkruar tutje Tahiri./Telegrafi/