Site icon Telegrafi

Syd Barrett – përtej mitit të gjeniut të çmendur

Syd Barrett

Rosemary Breen, motra e Syd Barrettit, është intervistuar nga gazetari Ian Priston për Fingal’s Cave Podcast – podkastin që i dedikohet adhuruesve të grupit Pink Floyd. Intervista zhytet në një mori temash, duke zbuluar disa nga misteret që prej kohësh ndërlidheshin me vëllain e saj.

Përktheu dhe përgatiti: Telegrafi.com

Rosemary e përshkroi Sydin jo si yll të madh të rokut, siç shumica supozojnë, por në esencë si artist. “Muzika ishte hobi, arti ishte vet ai”, shpjegoi ajo, duke shtuar se, për Barrettin, koncepti i famës ishte diçka që as e kërkonte dhe as nuk e kuptonte. Rosemary thekson se ai kurrë nuk e donte famën. “Nuk e kuptonte”.

Lexo po ashtu Gjeniu i çmendur pranë shtëpisë sime
Syd Barret me një pikturë të tij (1964)

Ndërveprimet e Sydit me muzikën dhe tingullin ishin eksplorime personale për art, jo përpjekje për të dalë në krye të top-listave ose për t’i kënaqur adhuruesit. Ky qëndrim e shtyu Rosemaryn të reflektonte për famën, duke thënë: “Fama është gjë kaq e rrezikshme”.

Lexo po ashtu Diku edhe i çmenduri e i vdekuri vlejnë, e diku as i zgjuari i gjallë!

Sydi interesohej për muzikën në nivel personal. “Nuk kishte të bënte me audiencën dhe as që dëshironte të arrinte te numri një, ose çfarëdo tjetër. Këtë nuk e donte dhe kurrë askënd nuk e kuptonte se pse këtë e dëshiron”.

Syd Barrett në skenë me grupin e tij Pink Floyd

Jeta e Sydit merr një sërë kthesash të papritura kur zgjodhi të merrej me muzikë, një lëvizje të cilën motra e tij e konsideron si devijim nga pasioni i tij i vërtetë – piktura. Sipas Rosemaryt, Sydit fillimisht iu bashkua Roger Watersi dhe të tjerët në Pink Floyd, veç për pak argëtim – meqë synonte të kthehej në Kolegjin Kembëruell. “Mendoi se ishte gjë interesante që me Roger Watersin dhe të tjerët të argëtoheshin paksa, sepse ai donte të kthehej [në kolegj] dhe kjo do të kishte qenë e mrekullueshme … U dëmtua para se të mund të kthehej në atë çfarë ishte”. Në vend të kësaj, u përfshi nga vala e famës dhe e përdorimit të drogës gjë që, siç beson motra e tij, përfundimisht e mënjanoi nga udhëtimi artistik. “Përfshirja në muzikë, sipas meje, ishte vërtet gjë e gabuar “.

Lexo po ashtu Pesëdhjetë vjet në anën e errët të jetës së përditshme
Syd Barrett me të dashurën e tij Libby Gausden

Rrëfimi i Syd Barrettit është i ngatërruar në tapicerinë më të gjerë të kundërkulturës së viteve 1960 – kohë kjo kur i shfrenuar ishte përdorimi i drogës në skenën muzikore të Londrës, duke nxitur kreativitetin, por shpeshherë me kosto të lartë. Artistë si Barretti e përdorën drogën si kanal për shprehje krijuese, por i hollë ishte kufiri mes frymëzimit dhe dëmit.

Lexo po ashtu Tue luejt mendsh… me Emilinë!
Syd Barrett, nëntë muajsh, me nënën Winifred Barrett

Në vitin 1982, Sydi u kthye te familja e tij në Kembrixh. Atje e rifitoi një si paqe, duke u zhytur në art. Kjo lëvizje e simbolizonte largimin përfundimtar nga fama dhe nga furia e botës së muzikës – kthimin në jetën larg vëmendjes. Jeta e mëvonshme e Barrettit në Kembrixh – deri në vdekjen e tij më 2006 – u shënua nga thjeshtësia dhe rilidhja me veten, larg personazhit të “Syd Barrettit” që bota nuk e linte ta harronte.

Kur u kthye, shkoi te shtëpia e nënës ku qëndroi derisa vdiq. Megjithatë, Sydi nuk ishte vetvetja. Kishte ndryshuar. “Pas 18 muajve u bë shumë i vështirë, ndaj nëna kaloi tek unë dhe shtëpinë e kishte vetëm për vete”. Sydi kishte nevojë për hapësirë për të renditur mendimet e veta dhe për t’u pajtuar me dëmtimin e shkaktuar në tru, ndoshta nga droga, ndoshta edhe për shkak të sëmundjes mendore. “Kishte shumë gjëra në kokë dhe e mira ishte që vetë t’i zgjidhte ato. Bënte art”.

Komunikimi u bë sfidë për Sydin. Rrëfimi i Rosemaryt për preferencën e tij për t’u konsideruar dikush tjetër, duke mohuar të kaluarën e tij si fanar i grupit Pink Floyd, hedh dritë mbi mekanizmat e tij të përballimit. Tërheqja e tij në art ishte përpjekje terapeutike.

Syd kishte energji krijuese, kureshtje dhe natyrë lozonjare. Arti i tij ishte kryesisht për veten, jo për ta kërkuar miratimin nga të tjerët. “Arti ishte gjë personale dhe nuk kishte të bënte me askënd dhe me asgjë”.

Lexo po ashtu Në pritje të verës së tretë të luleve: Si e ndryshoi LSD-ja, kulturën perëndimore?

Sydi ia futi zjarrin pikturave, në kopshtin e pasmë. “Mendoj se nuk kishin më shumë rëndësi për të”. Por, shumë nga to u ruajtën. Rosemary pa një nga to, nga fundi i kohës së tij me Pink Floyd, që ndoshta përmblidhte konfuzionin dhe zhgënjimin e tij me famën. “E kishte bërë një pikturë të madhe … ishte e gjitha e zezë dhe e kishte një ngjyrë të vogël në fund, te këndi i djathtë”.

Tekstet e Sydin po ashtu ishin të këndshme, veçanërisht solo-materialet. Nëse dikush do t’i merrte tekstet shumë seriozisht dhe nuk do t’i shihte si shaka, Sydi do të ishte shumë i kënaqur. Arti për të ishte shprehje e vetvetes. “Luante me tekste, por ishte artist dhe veten e vinte në telajo, shumë më ndryshe”.

Familja Barrett më 1950: Vëllai Don, motra Rosemary, Roger Keith Syd Barrett, motra Ruth, vëllai Alan me nënën Winifred dhe babanë Arthur Barrett

Për Sydin, shpërbërja e gjërave dhe ribashkimi i tyre ishte pasqyrim i kuriozitetit të tij të brendshëm – alegori për qasjen e tij ndaj jetës dhe artit. Aktivitetet e tilla mund të ofrojnë ngushëllim dhe një ndjenjë kontrolli, ndoshta një metodë kjo për Sydin për ta gjetur rregullin në mes të kaosit. Ata që vuajnë nga simptomat negative të ADHD-së dhe nga autizmi, shpeshherë gjejnë ngushëllim në gjërat që shpërqendrojnë, si piktura, vështrimi se si funksionojnë gjërat.

Roger Keith ‘Syd’ Barrett sigurisht që kishte mendje kureshtare. Kjo u reflektua në tekstet dhe veprat e tij artistike. “Babai im ishte shkencëtar i shkëlqyeshëm … Për të qenë shkencëtar i suksesshëm, duhet të shohësh jashtë normës, apo jo, duhet të imagjinosh diçka që askush nuk e kishte imagjinuar më parë, dhe ai këtë e kishte në kokën e vet … Mendoj se e kishte atë lloj të trurit”.

Me gazetarin Thomas Johnson, që bëri intervistën e fundit me Syd Barrettin

“Pikturonte kur ishte në gjendje të mirë mendore dhe kur nuk ishte thjesht rrinte i qetë … merrej paksa me kopshtarinë … dilnim me makinë …E kishte mjaft të vështirë komunikimin, për shkak të dëmtimit të trurit”.

Sydi e kishte tepër të vështirë ta shikonte veten e mëparshme. “Nuk foli me mua për të kaluarën, nuk donte t’ia dinte … nëse dikush nga adhuruesit i shkonte te dera, ai thoshte se Sydi nuk jeton më këtu … Nuk jam ai, jo, jam dikush tjetër”.

Mbi thashethemet se Rosemary dhe Syd e panë së bashku biografinë Crazy Diamond, Rosemary tha: “Jo”. Megjithatë, Rosemary reflektoi për filmin e ri Have You Got It Yet. “Ndjeva se [filmi] ishte shumë i trishtuar, por ishte realist, i realizuar shumë mirë”.

Eseks, 1981: Syd Barrett me motrën Rosemary dhe nënën Winifred

Teksa historia e Syd Barrettit shpaloset përmes fjalëve të motrës së tij, hasim në një rrëfim shumë më të pasur dhe më kompleks sesa për një yll roku që shkatërrohet nga fama. Në vend të kësaj, e shohim një njeri me shpirt të thellë artistik, për të cilin muzika ishte vetëm një mjet shprehjeje – një njeri që luftoi me grackat e famës dhe me abuzimin me substancat.

Lexo po ashtu SHNDRIT, TI DIAMANT I KRISUR

Podkasti shpalos edhe një shtresë të mitologjisë Barrett, duke na lejuar të shohim personin pas personazhit, një person që dëshironte jo adhurimin e miliona njerëzve, por gëzimet e thjeshta nga arti dhe rehatinë e shtëpisë. Rrëfimi i motrës flet për brishtësinë e artistëve si Syd Barrett – shkëlqimin që shpejt u venit, duke na shtyrë të mendojmë për ekuilibrin delikat midis krijimtarisë dhe dobësive që atë shoqërojnë. Përmes saj na kujtohet një djalë i gjallë dhe me shkëlqim, por që e humbi rrugën. “Nëse i përmbledhim gjërat, jetën e tij, ishte djalosh shumë tërheqës dhe energjik që shkon në rrugën e gabuar … ai shkoi në rrugën e gabuar dhe humbi”.

Rosemary rrëfeu edhe për afërsinë mes saj dhe vëllait, në fund të jetës së tij. “Kur ishte në spital, ishte hera e vetme që më kërkoi ta puthja”.

Syd Barrett vdiq më 7 korrik 2006, në moshën 60-vjeçare. Vuante nga kanceri i pankreasit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version