Një super kompjuter ka parashikuar se si do të përfundojë tabela e Ligës Premier pasi Manchester United mundi Liverpoolin.
Erik ten Hag e shijoi fitoren e tij të parë si trajner i United, por ai ende ka shumë punë për të ngritur skuadrën në majën e tabelës dhe ta mbajë aty.
Kjo është sipas një super kompjuteri që përdori analizën e këtij fill sezoni për të projektuar tabelën përfundimtare të Ligës Premier pas raundit të tretë të ndeshjeve.
Të dhënat e grumbulluara nga aplikacioni “SBK” tregojnë se United është skuadra me gjasat më të vogla nga top gjashtja që të përfundojë në një vend për në Ligën e Kampionëve.
Super kompjuteri parashikon që ata të përfundojnë në vendin e gjashtë, përpara Newcastles në vendin e shtatë dhe një vend pas Chelseat.
Skuadra e Thomas Tuchel mund të rrëshqasë nga top katërshe për herë të parë që nga viti 2018, duke gjykuar nga forma aktuale.
Ndërkohë, Liverpooli nuk ka shënuar ende një fitore pas barazimeve me Fulham dhe Crystal Palace.
Por, super kompjuteri ende parashikon që Reds të përfundojnë të dytin pas Manchester Cityt – siç bënë sezonin e kaluar.
Pep Guardiola pritet të fitojë sërish Ligën Premier, që do të ishte hera e tretë radhazi dhe e pesta në total për trajnerin spanjoll.
Arsenali dhe Tottenhami pritet të përmbyllin katërshen e parë me Topçinjtë që kalojnë rivalët e tyre në Londrën veriore në vendin e tretë. /Telegrafi/