Site icon Telegrafi

Sunak telefonon Zelenskyn – flasin për kundërsulmin e ukrainasve dhe kërkesat e Ukrainës

Rishi Sunak ka biseduar përmes telefonit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Kryeministri i Britanisë së Madhe mësohet t’i ketë thënë udhëheqësit ukrainas se britanikët do t’i japin vrull përparimit – me vendet e G20 – në tejkalimin e bllokadës ruse për grurin.

“Presidenti Zelensky na dha informacione mbi kundërsulmin dhe kërkesat ushtarake të vazhdueshme të Ukrainës dhe kryeministri premtoi mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar dhe përgëzoi forcat e armatosura të Ukrainës për përparimin e tyre në fushën e betejës”, deklaroi një zëdhënës i qeverisë britanike.

“Ata diskutuan gjithashtu ndikimin e bllokadës së vazhdueshme të grurit të Putinit në Detin e Zi, si në Ukrainë ashtu edhe për furnizimet ushqimore në mbarë botën. Kryeministri u angazhua për të nxitur punën me vendet e G20 për të anashkaluar bllokadën e Rusisë dhe për të siguruar që vendet e cenueshme të kenë qasje në dërgesat jetike të grurit”, shtoi ai.

Zelensky lëshoi gjithashtu një deklaratë në platformën X rreth telefonatës me kreun e qeverisë britanike, raporton skynews.

“Ne u fokusuam në eksportet e grurit të Detit të Zi. Ukraina ka përdorur tashmë me sukses një rrugë alternative. Ne kemi nevojë për partnerë për të na ndihmuar të forcojmë mbrojtjen ajrore të rajonit të Odessa. Falënderova Mbretërinë e Bashkuar për mbështetjen e saj të fortë, përfshirë ndihmën thelbësore ushtarake”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Sunak muaj më parë ka qëndruar në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku ka takuar personalisht Zelenskyn. /Telegrafi/

Exit mobile version