Prokuroria Speciale ka mbajtur sot konferencën vjetore, ku ka folur kryeprokurori Blerim Isufaj.
Kryeprokurori Isufaj u pyet nga gazetarët lidhur me kritikat e kryeministrit Albin Kurti se pse ende nuk ka asnjë aktakuzë lidhur me sulmin që ka ndodhur në Banjskë, transmeton Telegrafi.
Isufaj u shpreh se prokuroria ngrit aktakuza kur ka prova, dhe se kjo çështje nuk i takon kryeministrit Kurti.
“As nuk dua të komentoj, nuk është çështje e tij. Ne i ngrisim aktakuzat kur kemi prova, nuk mundet askush të na tregojë kur të ngrisim aktakuza”, pohoi ai.
Kryeministri Kurti para pak ditësh kishte shprehur shqetësimin e tij se pse prokuroria nuk ka ngritur aktakuza për sulmin në Banjskë, ndërsa ishte shprehur se ka mjaftueshëm prova për të ngritur aktakuza.
“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”, theksoi kryeministri.
Nga sulmi i grupeve terroriste në Banjskë ishte vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku./Telegrafi/