Pas incidentit të sotëm në stadiumin e Gjilanit, ku u sulmua fizikisht, Stivi Frashëri, portier i skuadrës suharekase, Ballkani, nesër pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport.
Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, përmes një reagimi në të cilin dënon ashpër këtë sulm, ndërsa portierit nga klubi suharekas, i urojnë shërim të shpejtë.
”Për ditën e nesërme kemi ftuar mbledhje të Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport për t’i shqyrtuar veprimet e radhës. Jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka mundemi për t’i mbajtur huliganët jashtë fushave të sportit.
“Portierit Stivi Frashëri i urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Sportit.
Më poshtë mund ta lexoni statusin e plotë (pa ndërhyrje) të bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit:
Ministria e Sportit dënon ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri dhe gjithë situatën e krijuar në ndeshjen e futbollit Gjilani – Ballkani. Këto pamje nuk përkojnë me frymën sportive dhe të gjithë përgjegjësit do të marrin përgjigjen e merituar.
E falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e tyre të shpejtë në arrestimin e të dyshuarve. Për ditën e nesërme kemi ftuar mbledhje të Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport për t’i shqyrtuar veprimet e radhës.
Jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka mundemi për t’i mbajtur huliganët jashtë fushave të sportit.
Portierit Stivi Frashëri i urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. /Telegrafi/