Shkrimet e mediave serbe sipas profesorit Seb Bytyçi, janë mesazh për popullin serb, që me përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë, Serbia do të detyrohet që të njohë Pavarësinë e Kosovës
Thikë pas shpine për Serbinë dhe njohje të Pavarësisë së Kosovës, mediat në Serbi po e konsiderojnë deklaratën e djeshme të presidentit rus, Vladimir Putin.
Kësaj situate interesante i shtohet edhe fakti se shumë nga këto media konsiderohet se kontrollohen nga Aleksandar Vuçiq, që është president i Serbisë.
Për rajonet që pretendon t’i shkëput nga Ukraina si shtete të pavarura, presidenti i Rusisë shembull po e merr Pavarësinë e Kosovës.
Kjo deklaratë sipas profesorit Seb Bytyçi, është sinjal për botën perëndimore.
“Deklaratat e Vladimir Putinit, të fundit mund të shihen si një sinjalizim ndaj Perëndimit se dëshiron që të bëjë një lloj marrëveshje ku Rusia do ta njihte Kosovën në kumbim të njohjes së aneksimit të Krimesë dhe njohjes së Luhanskut dhe Donetskut”, shprehet profesori Bytyçi për RTV Dukagjinin.
Shkrimet e mediave serbe sipas Bytyçit, janë mesazh për popullin serb, që me përkeqësimin e marrëdhënieve me Rusinë, Serbia do të detyrohet që të njohë Pavarësinë e Kosovës.
Edhe gazetari shqiptar në Beograd, Idro Seferi, thotë se është hera e parë që mediatikisht është reaguar kundër Vladimir Putinit.
Ndonëse sipas tij nga politika po tregohen të rezervuar për këtë ngjarje.
“Nuk mendoj që do të ketë deklarata kundër ose të drepërdrejta, por do të ketë shprehje pakënaqësie. Kjo nuk është hera e parë që Rusia edhe Serbia e sidomos presidenti Vuçiq nuk kanë marrëdhënie të mira. Kanë pasur kritika e madje edhe ofendime ndaj Vuçiqit në kohën kur e firmosi marrëveshjen e Washingtonit te presidenti Trump. Por sigurisht që do të ketë analiza brenda dhe të politikës së Presidentit. Do të shohim se si do të reflektojë kjo çështje në përbërjen e ardhshme të Qeverisë nëse do të ketë partner që më shumë janë të orientuar drejt lindjes apo perëndimit”, deklaroi Seferi.
Vladimir Putin në një paraqitje mediale një ditë më parë, përmendi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, për çka tha se regjioni i Donbasit dhe Doneskut në Ukrainë, kanë të drejtën e vendosjes për vete njësoj sikurse Kosova.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, më 2010 ka vlerësuar se Pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.