Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka reaguar lidhur me sulmet e SHBA-së dhe Britanisë ndaj objektivave të Houthit në Jemen.
Erdogan ka kritikuar këto sulme ndaj Houthit dhe ka akuzuar të dyja vendet po përpiqen ta shndërrojnë Detin e Kuq në një “det me gjak”, transmeton Telegrafi.
Duke folur në një konferencë shtypi të premten, Erdogan potencoi se forcat Houthi të mbështetura nga Irani po mbroheshin “suksesshëm” ndaj sulmeve.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Britania nisën sulmet ndaj Houthit si kundërpërgjigje të sulmeve që kreu grupi ndaj anijeve komerciale në Detin e Kuq, për të cilat thuhet se kanë dërguar furnizime në Izrael.
Sulmi ndaj këtyre anijeve ka vazhduar që kur filloi konflikti mes Izraelit dhe Hamasit.
Siç raportohet, sulmet që SHBA-ja kreu në orët e para të së premtes, janë mbështetur gjithashtu nga një numër aleatësh të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. /Telegrafi/