Rastet e fundit, të shumta e të vazhdueshme të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikike ndaj qytetarëve të vendit janë duke u kryer nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës (PK) të cilët kohëve të fundit janë raportuar nga qytetarët edhe përmes video-incizimeve e nga mediat në vend po vlerësohen se janë duke e dëmtuar imazhin dhe kredibilitetin e PK-së, si dhe po ngjallin pasiguri te qytetarët.
Ka disa muaj që në media janë raportuar për dhunë e forcë të madhe të përdorur nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, ani pse ky institucion ka gëzuar besim të madh te qytetarët edhe në hulumtime të ndryshme të bëra deri tash në vend.
Por, Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka thënë se dhuna e panevojshme e zyrtarëve policor përveç që dëmton dukshëm imazhin dhe kredibilitetin e PK-së, ngjall pasiguri te qytetarët dhe ndikon në distancimin e tyre me këtë institucion.
Balaj në një prononcim për Telegrafin tha se rastet e tilla jo vetëm që tregojnë për jo-kompetencë të disa zyrtarëve policor dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, por tregojnë edhe për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.
Në fund të lajmit keni një tjetër pyetësor, sa cila ka qenë përvoja e juaj me Policinë e Kosovës.
“Dhuna e panevojshme e zyrtarëve policor përveç që dëmton dukshëm imazhin dhe kredibilitetin e PK-së, ngjall pasiguri te qytetarët dhe ndikon në distancimin e tyre me këtë institucion. Edhe pse PK vazhdimisht ka tentuar ta zhvilloj dhe aplikoj policimin në komunitet/bashkësi, ngjarjet e fundit të dhunës nga ana e zyrtarëve policore e komplikojnë edhe më shumë zhvillimin e këtij parimi – e kjo bëhet aq më keq kur po kalojmë në një periudhë që afërsia e institucioneve me qytetarët është edhe më shumë e nevojshme për të mbrojt shëndetin publik dhe sigurinë e qytetarëve. Fatkeqësisht, disa prej rasteve që kohët e fundit kanë dal në publik jo vetëm që tregojnë për jo-kompetencë të disa zyrtarëve policor dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, por tregojnë edhe për shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”, ka thënë Balaj.
Sipas tij, është shqetësuese që rastet e dhunës të cilat janë bërë në vitet e kaluara, ndërsa publikimi tyre është bërë shumë më vonë.
“Ajo që vërehet nga rastet e fundit është që disa prej tyre kanë ndodhur viteve të kaluara ndërsa tash veç se janë bo publike. Ky është fakti i parë shqetësues sepse tregon që potencialisht dhuna dhe qasja totalisht e dëmshme, jo-etike dhe jo-ligjore ka qenë sistematike për zyrtarë të caktuar policor”, tha Balaj, duke shtuar se aspekti tjetër negativ është fakti që disa prej zyrtarëve policor që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve kanë marrë masa disiplinore më herët. “Megjithatë, përveç që e kanë vazhduar punën normalisht pas një periudhe të caktuar, ata kanë aplikuar të njëjtën qasje në ushtrimin e detyrave të tyre edhe pas sanksionimit fillestar”.
Kjo siç theksoi ai tregon që disa prej masave të ndërmarra nga Policia e Kosovës ose institucionet tjera mbikëqyrëse nuk kanë treguar efektin e tyre dhe potencialisht nuk po shërbejnë për reflektimin e nevojshëm brenda PK-së.
“Rrjedhimisht, këto janë indikatorë që PK duhet me i rishqyrtu procedurat e brendshme disiplinore dhe me i fuqizu tutje mekanizmat e kontrollit të brendshëm”, u shpreh Balaj.
Ai po ashtu theksoi se një aspekt tjetër që ka dal në pah nga rastet e fundit është përgatitja jo adekuate e disa prej zyrtarëve policor.
“Nëse 3-4 zyrtarë policor nuk kanë mundësi të neutralizojnë një të re/ri kur ata ndihen të kërcënuar pa pasur nevojë me i përdor mjetet e tyre si spreji, ose nëse reagojnë me agresivitet ndaj një ofendimi (jo sulmi!) nga qytetarë të revoltuar, atëherë ndoshta kemi të bëjmë me zyrtarë të papërgatitur dhe të paaftë me i ushtru detyrat e tyre bazike. Ndonëse ekzistojnë mekanizma të ndryshëm që kanë përgjegjësi për adresimin e shkeljeve të zyrtarëve policor, rastet e fundit e kanë vënë në pikëpyetje efikasitetin e tyre”, vlerësoi ai.
Balaj nga QKSS-ja ndër të tjera tha se edhe pse kohëve të fundit është parë një aktivitet i lartë i Policisë dhe Prokurorisë për hetimin dhe arrestimin e zyrtarëve policor që kanë kryer vepra të ndryshme penale, praktikat e viteve të kaluara tregojnë që finalizimi i këtyre rasteve lë për të dëshiruar.
“PK duhet të jetë e pa kompromis në sigurimin e integritetit të saj, ndërsa institucionet e zbatimit të ligjit në përgjithësi duhet të jenë të ashpër ndaj çdo zyrtari publik që dëmton interesat e institucioneve dhe e përdor pozitën e vet për shtypjen e qytetarëve. Përveç që duhet përgjigje adekuate ligjore për rastet e dhunës policore, PK duhet të distancohet publikisht nga këto raste dhe të ri-siguroj qytetarët që ata janë zbatuesit e jo shkelësit e ligjit dhe të ngrisë vetëdijen brenda institucionit që raste të ngjashme të mos përsëriten”, vlerësoi Balaj nga QKSS-ja.
Ndërsa, njëjtë nuk mendojnë edhe ish drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj si dhe eksperti i shkencave të Sigurisë, Avni Islami, të cilët deklaruan se këto raste janë individuale dhe të izoluara dhe nuk e përfaqësojnë në tërësi Policinë e Kosovës.
Qalaj është i bindur se Policia e Kosovës është policia më profesionale në rajon.
“Mendoj që Policia e Kosovës nuk e humb besimin tek qytetarët, mund të jenë individë të cilët në një farë mënyre mund ta bëjnë tejkalimin a autorizimeve policore apo mund të bëjnë ndonjë veprim jo të kujdesshëm në raport me qytetarët. Mirëpo, konsideroj që këto janë raste të izoluara dhe Policia e Kosovës, jam i bindur që vazhdon të jetë më e mira dhe më profesionale në rajon”, theksoi ai.
Siç tha Qalaj në këtë rast menaxhmeti duhet të punoj më shumë, në mënyrë që policia të jetë më e kujdesshme në zbatimin e autorizimeve dhe detyrave policore.
Profesori i Shkencave të Sigurisë, Avni Islami tha për Telegrafin se nga këto raste individuale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ku vërehet forca e përdorur në mënyrë jo proporcionale, Inspektorati Policorë i Kosovës ka qenë shumë aktivë ku janë suspenduar nga puna disa zyrtarë policorë.
“Rastet e ndryshme që po ndodhin në Kosovë lidhur me dhunën jo proporcionale të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në raport me qytetarët duhet parë si rast i izoluar dhe individual. Vërehen disa raste që Policia e Kosovës e ka përdorur forcën e tepruar apo forcën jo proporcionale, për këtë edhe Inspektorati Policor i Kosovës ka ndërmarr një sërë masash i cili kohëve të fundit është jashtëzakonisht aktiv, ku janë suspenduar nga puna disa zyrtarë policor”, vlerësoi Islami.
Ai po ashtu kërkoi që politika menaxhuese e Policisë së Kosovës të ketë qasje më rigoroze si dhe pjesëtarë të saj duhet të përdorin forcën proporcionale dhe jo t’i kalojnë kompetencat e veta sa herë që t’ju teket.
Rastet janë individuale dhe të izoluara dhe policia e Kosovës e gëzon besimin e popullit e cila është policia me profesionale në rajon e cila është në shërbim të qytetarëve. Nuk duhet ngatërruar rastet individuale me Policinë e Kosovës”, ka thënë ndër të tjera profesori i Shkencave të Sigurisë, Islami.
Telegrafi më poshtë ju sjell disa nga rastet e raportuara të dhunës:
Dy raste të përdorimit të sprejit lotsjellës dhe dhunës fizike në Prishtinë
Një rast ka ndodhur javën e kaluar në rrugën B në Prishtinë, ku ndaj një qytetare pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë përdorur sprej lotsjellës për ta arrestuar pasi nuk iu kishte bindur urdhrave të policisë të cilët e kishin ndaluar pasi kishte nxjerrë në shëtitje qenin e saj pa maskë sigurie.
Më datë 08 mars të këtij viti, pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë hyrë në një restorant në Prishtinë duke përdorur sprej lotsjellës si dhe dhunë fizike ndaj disa personave të cilët gjendeshin brenda në restorant pasi kishte ende njerëz të cilët punonin edhe pas orarit të ndaluar nga masat e ndërmarra anti COVID nga Qeveria e Kosovës.
Rasti i dhunës fizike ndaj 18 vjeçarit në vitin 2008 në stacionin policor “Qendra”, në Prishtinë
Rasti tjetër ka të bëjë me një pjesëtar të Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, Haris Kelmendi, i cili është arrestuar të kohë më parë për herë të dytë, nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, pasi përmes video incizimit shihet keqtrajtimi i një 18 vjeçari nga ky polic, e cila ngjarje ka ndodhur në vitin 2018.
Ndërkaq, një video e publikuar në Telegrafi.com shiheshin dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar përmes një video incizimi janë parë në afërsi të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, ku një police shihet duke e goditur një vajzë, e cila sipas pamjes në video duket të jetë e mitur.
Ndryshe, përmes një komunikate për media thuhej se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ditë më parë në një takim të mbajtur në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës, kishte kërkuar ngritjen e përgjegjësisë në menaxhim dhe mbikëqyrje nga eprorët e të gjitha niveleve me qëllim të avancimit të mëtejmë të besueshmërisë dhe imazhit të Policisë së Kosovës, si organizatë profesionale në shërbim të qytetarëve.
Përmes një komunikate ishte bërë e ditur se nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore.
“Menaxhmenti i Policisë së Kosovës do të mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, andaj me qëllim të një shërbimi sa më efikas, nuk do të tolerohen sjelljet e mundshme jo profesionale dhe tejkalimi i autorizimeve policore”, thuhej në komunikatën e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/