Telegrafi

“Sulm terrorist e tinëzar”, Bearbock: Serbia po provokon me vendosjen e trupave në kufi me Kosovën

Ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock deklaroi sot në Tiranë se “presim nga qeveria serbe të çojë para hetimet dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes në veri të Kosovës”.

Baerbock u ndal te zhvillimet në Kosovë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që pasoi punimet e ministerialit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, takim që i paraprin samitit të Procesit të Berlinit më 16 tetor në Tiranë.

Ajo theksoi se duhet të shuajmë njëherë e mirë shkëndijat e vatrave të vjetra në rajon.

Lexo po ashtu Daçiq bojkoton foton familjare të Ministerialit në Tiranë, raportohet për debate me ministren gjermane

“Provokimet e palës serbe përmes rritjes së trupave në kufi me Kosovën e kanë nxehur edhe më tej situatën. Kjo ndodh pas një sulmi tinzar kundër Policisë së Kosovës prej një bande terroriste të armatosur deri në dhëmbë. Presim nga qeveria serbe të çojë para hetimet dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, tha ajo.

Sipas saj, “situata është aq e tensionuar saqë NATO ka rritur praninë e KFOR-it dhe përmes këtij sinjali bëjmë të qartë se qëndrojmë vigjilent dhe kontribuojmë në terma afatgjatë për sigurinë”.

Lexo po ashtu Pritja e ngrohtë e Gërvallës dhe takimi i sikletshëm me Daçiqin, "diplomacia e shenjave" e ministrit të Jashtëm shqiptar

Baerbock u shpreh po ashtu se çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë.

“Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse se Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë të vendosur për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Presim më shumë kurajo për t’i bërë ballë edhe rrymave të kundërta të politikës së brendshme”, theksoi ajo. /Telegrafi/