Site icon Telegrafi

Suedia pritet të dërgojë trupa në vijën e frontit të NATO-s

Suedia po përgatitet t’i bashkohet NATO-s, megjithëse ende po përballet me kundërshtimin e shtetit hungarez.

Shteti suedez pritet të dërgojë trupa luftarake në Letoni, ndërsa po përgatitet për anëtarësimin e mundshëm në aleancën ushtarake të NATO-s.

Ushtarët e saj do të jenë pjesë e linjës së parë të mbrojtjes kundër një pushtimi të mundshëm rus në Baltik, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Edhe pse vendi ende nuk është anëtarësuar zyrtarisht në aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, ajo ka nisur të operojë brenda kornizave të aleancës.

Bëhet e ditur se Stokholmi do të dërgojë një batalion prej 600-800 ushtarësh dhe forca të blinduara në Letoni, i cili do të qëndrojë me rotacion gjashtëmujor.

Ndryshe, pas pushtimit rus të Ukrainës, Suedia ka nisur përpjekjet e para për t’iu bashkuar NATO-s duke hequr dorë kështu nga neutraliteti. Megjithatë, oferta e saj u bllokua nga Turqia dhe Hungaria.

Sipas rregullave të NATO-s, të gjitha vendet anëtare duhet të bien dakord përpara se një shtet i ri të bëhet pjesë e aleancës.

Parlamenti turk e ratifikoi ofertën e Suedisë për anëtarësim, por Hungaria ende është kundër bashkimit të shtetit suedez në bllok.

Sido të që jetë e ardhmja e Suedisë, vendi tashmë është i regjistruar si një anëtar i plotë i manovrave të NATO-s “Steadfast Defender 2024”, ushtrimi më i madh i këtij lloji që nga Lufta e Ftohtë. /Telegrafi/

Exit mobile version