Telegrafi

Suedia i dërgon Ukrainës sisteme mbrojtëse kundërajrore, konsiderohet si pakoja më e madhe ushtarake që deri më tani e ka dërguar ky vend

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, ka njoftuar se qeveria e këtij vendi do të dërgojë pakon më të madhe ushtarake në Ukrainë që ndonjëherë e ka dërguar.

Në një konferencë për media, kryeministri i vendit por edhe ministri i Mbrojtjes, kanë bërë të ditur se Suedia deri më tani i kanë dhënë mbi 5 miliardë kruna suedeze në Ukrainë, në kuadër të pakos së ndihmës ushtarake, transmeton Telegrafi.

“Ukraina ka marrë mbështetje të madhe, por ata kanë nevojë për më shumë mbështetje. Shumë vende duhet të japin më shumë. Ukrainën e pret një dimër i vështirë dhe kjo rrit pritjet nga vendet e tjera”, tha një zyrtar suedez.

Në anën tjetër, ministri për Zhvillim dhe Tregti, Johan Forsell, ka shpjeguar se çfarë do të përmbajë pakoja e re për Ukrainën.

“Është pakoja më e madhe ushtarake që Suedia ndonjëherë e ka dërguar. Është i ndarë në tri pjesë, Humanitare, ushtarake dhe politike. Pakoja humanitare përfshinë 720 milionë kruna suedeze, kurse pakoja ushtarake përfshinë sisteme të mbrojtjes kundërajrore me municion”, shtoi Forsell.

Pjesa e tretë e mbështetjes, e cila përkufizohet si politike, i referohet presidencës së ardhshme të Suedisë me Bashkimin Evropian, dhe zyrtarët suedezë theksuan se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë përmes punës në institucionet e Bashkimit Evropian. /Telegrafi/