Telegrafi

Suarez dhe Vidal lihen jashtë skuadrës për miqësoren e Barcelonës, Juventus dhe Inter në pritje

Objektivi i Juventusit, Luis Suarez dhe ai i Interit, Arturo Vidal nuk janë përfshirë në skuadrën e Barcelonës për ndeshjen miqësore para-sezonale kundër Gimnastic de Terragona dhe thuhet se po stërviten të vetëm.

Sulmuesi uruguaian është lidhur me një lëvizje në Juventus javët e fundit dhe mediat tashmë zbulojnë se ai nuk ka të ardhme në Camp Nou.

Gazeta Marca pohoi një javë më parë se Suarez kishte rënë dakord për kushtet personale me Zonjën e Vjetër dhe raportet në Itali zbuluan se ai do t’i nënshtrohej testeve të pasaportës italiane para se të transferohej në Allianz Stadium.

Trajneri i Blaugrana, Ronald Koeman nuk e ka përfshirë qendër-sulmuesin në skuadër për miqësoren kundër Gimnastic dhe gazeta raporton se 33-vjeçari aktualisht stërvitet veçmas në Kataluni.

E njëjta gjë është duke ndodhur edhe me mesfushorin kilian, Vidal, i cili gjithashtu nuk u përfshi në skuadrën e ndeshjes miqësore.

Vidal është lidhur shumë me Interin, ndërsa disa media kanë raportuar gjithashtu se ai ka marrëveshje personale me klubin italian.

Gjatë ditëve të ardhshme pritet të ketë konfirmime të reja dhe e ardhmja e dy yjeve të Barcelonës pritet të jetë në Serie A, te Juventusi dhe Interi. /Telegrafi/