Site icon Telegrafi

Stojanoviq: Lista Serbe s’e mbështet Ushtrinë, për Demarkacionin s’ka qëndrim

Lista Serbe nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj në raport me nismën për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Branimir Stojanoviq, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

“Transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura për ne nuk është fare temë për bisedime dhe se çdo diskutim për këtë çështje, për ne do të ishte vetëm humbje kohe”, tha Stojanoviq.

Ai po ashtu u shpreh se mund të diskutohet me presidentin e Kosovës apo liderët tjerë vendorë, por për Ushtrinë “nuk ka hapësirë për të arritur ndonjë përparim në negociata”.

“Nisma për themelimin e ushtrisë së Kosovës”, ka nënvizuar ai, “u ka shërbyer liderëve kosovarë vetëm për nevoja të brendshme, ngase kjo temë nuk ka si qëllim zgjidhjen e problemeve me të cilat po ballafaqohen sot qytetarët e vendit”.

Pas bojkotit prej gjashtë muajve, Lista Serbe është kthyer në institucionet e Kosovës, duke ruajtur kështu postet ministrore në qeveri dhe mandatet e deputetëve në Kuvend.

Kthimin e deputetëve serbë, e ka mirëpritur Qeveria e Kosovës e cila ka paralajmëruar se tani mund të arrihen 80 votat e nevojshme në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushti i fundit i vënë nga Komisioni Evropian për heqjen e vizave.

Por, Stojanoviq, thotë se Lista Serbe nuk ka ende një qëndrim të prerë rreth demarkacionit dhe ka kritikuar ata që llogarisin në votat e serbëve sa herë që bllokohet ndonjë vendimmarrje.

“Atëherë kur nuk ka mundësi që brenda deputetëve shqiptarë të arrihet shumica, fajësia hidhet te serbët. Por, siç nuk kemi qenë fajtorë në të kaluarën nuk do të jemi as në të ardhmen”, ka thënë Stojanoviq, teksa shton se ishte ndikimi dhe trysnia ndërkombëtare ajo që i ka shtyrë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës. /REL/

Exit mobile version