Telegrafi

Sterjo nga Google tregon pse ka ardhur në Kosovë dhe në konventën ‘Suksesi është qëllimi yt’

Shqiptari Stiv Sterjo që është drejtues i analitikës në industrinë prodhuese në Google të Gjermanisë në një intervistë për Telegrafin ka treguar arsyen e ardhjes së tij në Kosovë.

Sterjo veçanërisht tregon se është pjesëmarrës në konventën ‘Suksesi është qëllimi yt’, e cila u mbajt gjatë ditës së shtunë.

“Miku im Denisi [Gafuri] më fto te kjo konventë. Është konventë shumë e madhe dhe mendoj që ka një potencial shumë të madh për të gjithë rajonin dhe mendoj që e gjithë shqiptaria ka nevojë për këtë lloj të konventave në zhvillimin e tyre, pasi nuk ka pasur deri më tani”, tha Sterjo.

Ai tregon se kjo konventë është një ndihmesë e madhe dhe se ai do të shpjegon për kulturën e Google dhe inovacionit në përgjithësi.

“Kjo ndihmon shumë njerëzit që t’i hapin sytë, ndërmjet faktorëve të ndryshëm siç do të diskutohen në konventë. Jo vetëm nga ana e shitjeve, por edhe ajo emocionale, ku ndër të tjera kam nderin që të flas për kulturën e Google dhe për kulturën e inovacionit në përgjithësi, sidomos për faktorët që e bëjnë një kompani si Google”, tregon ai.

Lexo po ashtu Stiv Sterjo drejtues i analitikës në Google të Gjermanisë, tregon për mundësitë që të rinjtë shqiptarë kanë për të punuar nga vendi i tyre

Sterjo në këtë intervistë ka folur për mundësitë që të rinjtë kanë për të punuar nga vendi dhe për rrugëtimin e tij në këtë kompani.

Ai tregon se në Google ekziston një komunitet i inxhinierëve me prejardhje nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

“Në Google nuk jam vetëm unë, ka edhe shqiptarë të tjerë. Deri tani kemi arritur deri diku, nuk i dimë të gjithë, por deri më tani jemi rreth 30 persona që kemi një grup dhe flasim e përpiqemi të kontribuojmë në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, thekson Sterjo.

Po ashtu, Sterjo ka folur edhe për potencialin që Shqipëria dhe Kosova në ofrimin e shërbimeve të teknologjisë dhe vizionin e Google në të ardhmen. /Telegrafi/