Kryeministri britanik Keir Starmer ka shprehur gatishmërinë për të vendosur trupa në Ukrainë për një periudhë të gjatë, për të mbështetur një armëpushim të mundshëm në luftën e nisur nga Rusia dhe për të parandaluar pushtimin e mëtejshëm.
Një burim nga qeveria britanike i tha The Times se vendosja e forcave të udhëhequra nga Britania e Madhe do të ishte e pacaktuar, transmeton Telegrafi.
“Do të ishte një angazhim afatgjatë, ne po flasim për vite. Për aq kohë sa duhet për të ruajtur një marrëveshje paqeje dhe për të penguar Rusinë”, tha burimi.
Udhëheqësit e mbrojtjes nga koalicioni i vullnetarëve do të takohen në Londër të enjten, për të diskutuar “një specifikë të madhe” se ku duhet të vendosen forcat paqeruajtëse.
Dhjetëra vendesh, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Turqinë, Kanadanë dhe Australinë, po diskutojnë planet për të dërguar deri në 30,000 trupa në Ukrainë.
Vendet e tjera janë të përgatitura të ofrojnë armë dhe mbështetje logjistike.
Megjithatë, aktualisht është e paqartë nëse forcat paqeruajtëse do të autorizohen të hapin zjarr ndaj ushtarëve rusë, në rast agresioni.
The Times raportoi se rregullat e përfshirjes ka të ngjarë të diskutohen në ditët në vijim.
Plani përfshin një armëpushim “në ajër dhe në det” për të gjurmuar lehtësisht çdo shkelje të mundshme nga Rusia.
Kjo do të pasohet nga një armëpushim i plotë dhe vendosja e kontingjenteve të huaja. /Telegrafi/