Më herët është përfolur se pas koncertit të madh të paralajmëruar të Noizyt për këtë verë, reperi do të largohet nga muzika.
Këtë të enjte, ai ishte i ftuar në emisionin “Pushime On Top” në një rrëfim të gjatë ekskluziv, ku i pyetur nga Ori Nebijaj gjatë intervistës, Rigels Rajku ka mohuar këtë thashethem duke sqaruar se si qëndron e vërteta.
“Besoj se jam disa vite larg largimit nga muzika. Nuk besoj se do e le muzikën ndonjëherë. Gjithmonë do të merrem me muzikë”.
“Nëse s’do jem aktiv nëpër koncerte, do jem aktiv duke prodhuar muzikë për artistë të rinj. Do bëj këngë, por mbase koncertet i rralloj. Kur të vijë mosha 50 vjeç normal që edhe mund të shkëputem”, citohet të ketë thënë Noizy.
Reperi është shprehur se edhe pas koncertit do të vazhdojë të punojë, këtë herë për një album të ri.
“Unë po përgatis një album tjetër. Albumi ‘Alpha’ do dali tri ditë para koncertit. Ndërkohë sapo të mbarojë koncerti do jem në tri shtete në dy javë”, ka treguar Noizy.
Reperi theksoi se ende nuk e ka vendosur emrin e albumit të ri për të cilin do të punojë sapo të mbarojë koncerti, por ama e ka të qartë se çfarë emri do t’i vendosë albumit të fundit të karrierës së tij.
“Albumi i fundit do të quhet ‘Ishte kënaqësi’”, ka shtuar reperi.