Edhe 20 ditë qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen, pasi që nga 1 janari 2024 zyrtarisht do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave.
Shumë qytetarë janë shprehur entuziast që pas shumë vitesh do të mund të udhëtojnë lirshëm pa pasur nevojë për maltretime në ambasada.
Telegrafi ka bërë një sondazh ku ka pyetur qytetarët se a do të udhëtojnë pas liberalizimit të vizave, dhe shumica e pjesëmarrësve në sondazh janë përgjigjur (po).
Pyetja ishte: A do të udhëtoni jashtë vendit në muajt e parë të 2024 pasi të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave?
Pjesëmarrës në sondazh deri tani janë 1499 qytetarë, ku 49% janë përgjigjur PO, 35% janë përgjigjur JO, dhe 16% janë përgjigjur NUK E DI.
Ndryshe, për të hyrë në zonën Shengen pas 1 janarit 2024 është e rëndësishme që të keni pasaportë me afat të mjaftueshëm.
Pasaporta duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga zona Shengen.
“Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën Shengen më 1 mars, 2024 dhe deklaroni tek policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars, 2024 atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor, 2024 pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit”, kanë bërë të ditur institucionet e Kosovës.
Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024. /Telegrafi/