Cristiano Ronaldo në një intervistë për Gazzetta dello Sport ka thënë se Juventusi është si një familje, gjë që më herët nuk e kishte hasur te klubet tjera.
Kjo paksa ishte një thumb për ish-klubet e tij, e normalisht që trajneri i Real Madridit, Santiago Solari, nuk shpëtoi pa u pyetur nga gazetarët në konferencën për media para ndeshjes ndaj CSKA Moskës në Ligën e Kampionëve.
Tekniku argjentinas në një farë mënyrë tregoi se fjalët e portugezit nuk ishin edhe aq të mira, por nuk preferoji t’i komentoi shumë.
“Kritikat e Ronaldos? Përulësia është virtyt i të mëdhenjve. Për këtë dhe për shumë vlera tjera ky klub ka fituar të gjitha”.
“Cristiano është i joni përgjithmonë, është një histori e gjallë e Real Madridit, por ndjenjat i përkasin atij, askush nuk mund t’i gjykojë ato”, ka thënë Solari.
CR7 ka thënë se ka zgjedhur Italinë për ta sprovuar vetën, ndërsa i bëri ftesë edhe Lionel Messit të luajë në Serie A.
Ronaldo tashmë ka shënuar 10 gola në 15 ndeshjet e para me Zonjën e Vjetër në Serie A. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=rASvdK3VHRY