Site icon Telegrafi

Skuadrat e Superligës që kanë arritur ta mbajnë më së shumti portën e paprekur – Prin Prishtinë me Visar Bekajn

Me vetëm katër gola të pranuar ekipi i Prishtinës ka dukshëm mbrojtjen më të mirë në këtë kampionat.

Madje, bardhekaltërit kanë arritur ta mbajnë portën e paprekur në gjithsej 12 ndeshje në këtë edicion.

Kryeqytetasit nuk kanë pranuar në as edhe një ndeshje të vetme më shumë se një gol, duke dëshmuar kështu kompaktësinë në repartin defansiv.

Mbrojtja e Prishtinës përbëhet nga katërshja fantastike Armend Dallku dhe Leutrim Bekteshi në qendër, Armend Thaqi në të djathtë, Abdul Bashiru në të majtë.

Në portë është “supermeni” i Përfaqësueses së Kosovës Visar Bekaj, i cili ndodhet në formë të jashtëzakonshme këtë edicion.

Pas Prishtinës është Feronikeli që ka mbrojtjen më stabile. Me vetëm 9 gola të pranuar, dy herë kampionët e vendit kanë arritur ta mbajnë plot 8 herë portën e paprekur në këtë edicion garash.

Pavarësisht se kanë pranuar një numër të madh golash (19), mbrojtja e Gjilanit është e treta sa i përket ndeshjeve që kanë arritur ta ruajnë portën e paprekur.

Sikur mos të ishin katër rezultate të thella në këtë edicion me mbi tre gola diferencë, bardhekuqtë mund të kishin ndër mbrojtjet më të mira në këtë edicion.

Më poshtë i gjenin shifrat 12 skuadrave sa i përket mbrojtjeve të Superligës./Telegrafi/

Prishtina – 12 ndeshje pa pranuar gol

Feronikeli – 8 ndeshje

Gjilani – 7 ndeshje

Llapi – 7 ndeshje

Drenica – 6 ndeshje

Ferizaj – 6 ndeshje

Ballkani – 5 ndeshje

Liria – 5 ndeshje

Drita – 4 ndeshje

Flamurtari – 3 ndeshje

Trepça ’89 – 3 ndeshje

KEK-u – 0 ndeshje

Exit mobile version