Telegrafi

Skuadrat e mëdha italiane po e monitorojnë situatën e De Paul te Atletico, argjentinasi drejt rikthimit në Serie A

Rodrigo De Paul mund të largohet nga Atletico Madrid vetëm pas një viti qëndrim në kryeqytetin spanjoll.

Mesfushori argjentinas iu bashkua skuadrës spanjolle edicionin e kaluar nga Udinese për 35 milionë euro, por e ardhmja e tij në Wanda Metropolitano nuk është e sigurt.

Është drejtori teknik i Udineses, Pierpaolo Marino ka thënë se nuk do të befasohet nëse e sheh De Paul përsëri në Serie A.

“Te Atletico ai luan një rol krejtësisht të ndryshëm nga ai i Udineses, e shoh më shumë në shërbim të skuadrës, ndërsa këtu ai ishte i lirë të shprehej”.

“E ardhmja e tij? Nuk kam folur me të apo agjentët e tij, por mundem të supozoj se ai nuk mund të jetë i kënaqur me këtë rol dhe nuk do të habitesha ta shihja në një vend tjetër, madje sërish në Serinë A , pasi aty e gjeti veten” , deklaroi Marino

Mediat italiane kanë raportuar se tanimë tre gjigantët e Serie A si Roma, Inter e Juventus janë duke e monitoruar situatën e tij.

Giallorosët kanë nevojë të madhe për një mesfushor si De Paul dhe janë gati të shpenzojnë për t’i dhuruar Mourinhos një lojtar të tillë në mesfushë.

Por sipas mediave italiane Interi mbetet favorit pasi mund të përfitojnë nga interesimi i Atleticos për Lautaro Martinezin dhe mund të ketë marrëveshje më të lehtë.

Në garë mbetet edhe Juventusi, por Zonja e Vjetër fillimisht duhet t’i shes disa nga mesfushorët para se të transferojë të rinj.

Atletico Madrid mund të heqë dorë nga reprezentuesi argjentinas nëse paguhet shuma prej 40 milionë eurove. /Telegrafi/