Site icon Telegrafi

S’ka buxhet për paga e mëditje për 600 specializantë të mjekësisë

Foto: Envato

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka refuzuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbulimin e pagave dhe mëditjeve të 600 specializantëve të mjekësisë, me arsyetimin se mundësitë buxhetore nuk ekzistojnë.

Kësisoj ky Komision gjatë shqyrtimit të Projektligjit të Buxhetit 2022 në lexim të dytë, ka refuzuar edhe kërkesën e KOSTT-it për 33 milionë euro sa i përket rrymës në veri të Kosovës.

Kryesuesi i grupit punues për buxhetin 2022, deputeti nga LVV-ja, Eman Rrahmani ka thënë se është se specializantët e mjekësisë është e pamundur të hyjnë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, pasi siç tha ai tavanet buxhetore nuk mund ta lejojnë një gjë të tillë.

“Arsyeja e refuzimit të kërkesës të specializantëve është për shkak edhe të një diskutimi të përbashkët me Ministrinë e Financave, mundësitë buxhetore nuk ekzistojnë, janë tavanet buxhetore të cilat nuk e përballojnë një numër kaq të madh prej 600 specializantëve. Kërkesa e tyre është që të hyjnë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve”, theksoi Rrahmani.

Ndërsa, për mjetet e kërkuara nga KOSTT-i për rrymën e shpenzuar në veri për vitin 2022, Komisioni vendosi pas shqyrtimit të Grupit punues ta refuzon këtë kërkesë prej 33 milionë eurove.

Lexo po ashtu Komisioni për Buxhet refuzon kërkesën e KOSTT-it për ndarjen e 33 milionë eurove për rrymën në veri të Kosovës

“Është edhe KOSTT-i që ka bërë një kërkesë, e cila ka të bëjë me mbulimin e shpenzimeve për humbjet e energjisë elektrike në vlerë prej 33 milionë euro, e cila është refuzuar nga grupi punues”, theksoi Rrahmani.

Komisioni ka shqyrtuar një nga një kërkesat e institucioneve për mjete shtesë buxhetore. Megjithatë shumicën prej tyre i ka refuzuar.

Zëvendëskryetari i këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku ka kritikuar mungesën e ministrit të Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati në mbledhjet e këtij Komisioni kur po diskutohen ndarjet buxhetore.

“Prej fillimit të mbledhjes së Komisionit ne po e shohim që nuk është prezent ministri [Hekuran Murati]. Ne e di as arsyetimin pse nuk është këtu, prezent. Zakonisht çdo ministër i qeverive të kaluara ka qenë prezent në çdo pjesë të arsyetimit. Për këtë arsye vlerësoj që është mirë ftuar ministrin dhe me qenë prezent gjatë vendimmarrjes”, theksoi Lushtaku.

Mungesën e ministrit Murati e ka arsyetuar bashkëpartiaku i tij, kryetari i Komisionit, Armend Muja derisa tha se deputeti Lushtaku qëllimisht po i keqinterpreton gjërat.

“Dua të jap një sqarim, tash po e shoh që je duke keq interpretuar gjërat qëllimisht. Ka qenë ministri në Grup punues së bashku gjatë gjithë ditë, ku ka qenë prezent edhe deputeti që është nga partia e juaj [deputeti Ferat Shala]. Pra, këto konkluzione i kanë nxjerrë bashkë me ministrin. Këtë herë po i trajtojmë vetëm kërkesat buxhetore siç ka propozuar grupi i specializuar punues”, tha ai.

Lexo po ashtu Komisioni për Transfere shqyrton Projektligjin e Buxhetit për vitin 2022

Derisa deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti pati kritika për mënyrën e refuzimit dhe miratimit të kërkesave, është penguar nga stafi i Komisionit, për çka Muja kërkojë nga stafi ta dëgjojnë atë.

“Ne e miratuam kërkesën e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ne e miratuam këtë kërkesë prej 80 mijë euro mjete shtesë, por ne faktikisht s’kemi bërë asgjë lidhur me këtë, sepse amendamenti nuk është i plotë. Ku i marrim këto 80 mijë euro, cilës organizatë buxhetore ia zvogëlojmë buxhetin? Kërkesat që refuzohen, por ne po supozojmë që kërkesat që po i refuzojmë ne t’i refuzon edhe seanca. Çka nëse kërkesat të cilat Komisioni po i refuzon, në seancë marrin shumicën e votave. Edhe atëherë amendamentet nuk janë të plota, duhet të kthehet buxheti në leximin e tretë pastaj”, theksoi Hoti.

Komisioni pas shqyrtimit të grupit punues ka vendosur po ashtu që mos të aprovohen 31 kërkesat e komunave në vend, sikurse ajo për ARKP-in dhe Këshillit Gjyqësor.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfer gjatë shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2022 ka miratuar vetëm tri kërkesa nga institucionet për mjete shtesë buxhetore për 2022, atë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe pjesërisht Universitetit të Mitrovicës.

Derisa me propozim të Mujës është vendosur që kërkesat e RTK-së dhe AKI-së për rritje të buxhetit të shqyrtohen në mbledhjen e nesërme të Komisionit. /KP/

Exit mobile version