Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri së fundmi pyeti veten se çfarë do të arrinin Milani dhe Interi pa pesë titullarë të rregullt, por Stefano Pioli do të jetë pa shtatë lojtarë kundër Zonjës së Vjetër sot.
Milani dhe Juventusi takohen sot në “San Siro” nga ora 18:00.
Kuqezinjtë humbën ndaj Chelseat të mërkurën, ndërsa bardhezinjtë fituan dy ndeshje radhazi, me Bologban dhe Maccabi Haifan.
Zonja e Vjetër ka pasur një fillim të ngadaltë të sezonit dhe më pak se një muaj më parë Max Allegri justifikoi rezultatet e tij të dobëta në një intervistë për Il Corriere Della Sera, ku tha se po drejtonte një Juventus ‘virtuale’ për shkak të dëmtimeve të shumta.
“Jam i kënaqur me punën në treg, më pëlqeu. Por lojtarët nuk janë në fushë. Mundohuni të largoni pesë lojtarë nga Interi ose Milani”, kishte thënë Allegri.
Epo, pretendimet e Allegrit janë kthyer në realitet tani, pasi lëndimet kanë goditur rëndë kuqezinjtë.
Mike Maignan, Davide Calabria, Simon Kjaer, Alexis Saelemaekers dhe Junior Messias i janë bashkuar Zlatan Ibrahimovic dhe Alessandro Florenzi në infermieri të Milanellos, ndërsa Theo Hernandez do të rikthehet kundër Zonjës së Vjetër sot pasi mungoi në dy ndeshjet e mëparshme.
“Do të doja që vetëm pesë lojtarë të lëndoheshin. Këto gjëra ndodhin në një sezon, ndeshja e fundit [kundër Chelseat] nuk ishte e kënaqshme, por unë shoh një grup të vendosur lojtarësh”, ka thënë Pioli, duke buzëqeshur në konferencë për shtyp të premten.
🎙️ #MilanJuve 🎙️
The English pre-match press conference is available exclusively for our YouTube members. Join now 🔜 https://t.co/qluiSJjzon
Segui la conferenza stampa e abbonati al nostro canale YouTube per fare le tue domande al Mister#SempreMilan | @play_eFootball
— AC Milan (@acmilan) October 7, 2022
Juventusi është sot pa Angel Di Marian e suspenduar në San Siro, si dhe të lënduarit Federico Chiesa, Paul Pogba dhe Mattia de Sciglio. /Telegrafi/