Sot (e enjte) me fillim nga ora 17:30 do të zhvillohet ndeshja e tretë çerekfinale e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës në basketboll, ku do të takohen Sigal Prishtina – Kalaja, kurse në takimin e fundit çerekfinal, i cili fillon në ora 19:45 do të ballafaqohen Bashkimi dhe Trepça.
Në duelin e parë ndërmjet bardhekaltërve dhe prizrenasve, favoritë absolut vlerësohen kryeqytetasit, derisa dueli tjetër ai në mes portokallinjve dhe mitrovicasve pritet të sjellë rivalitet të madh dhe basketboll cilësor.
Ndërkohë, gjysmëfinalet do të luhen të premten, e para prej orës 17:30 dhe e dyta prej orës 19:00, si dhe finalet në të dyja konkurrencat të dielën prej orës 16:00 (femrat) dhe 19:00 (meshkujt).
Fitues i Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar është Sigal Prishtina te meshkujt dhe Pro Bet Prishtina te femrat.
Duhet theksuar se të mërkurën nga një vend në gjysmëfinale e kanë siguruar Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli.
Të dyja ekipet kanë shënuar fitore me mjaft vështirësi në çerekfinale.
Rahoveci ka triumfuar ndaj Kerasan Prishtinës me shifrat 81-74 dhe Golden Eagle Ylli e ka mposhtur Borean me rezultat 106-96.