Site icon Telegrafi

Si do të financohet rindërtimi i Evropës nga COVID-19?

Për paketën e parë për ndihmë të menjëhershme, 540 miliardë euro do të janë në dispozicion që në muajin qershor. Pakoja u aprovua edhe formalisht në samitin virtual të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian. Debati kryesor tani është për programin konjukturor, për paketën e dytë – të rindërtimit.

Prej saj do të përfitonin kryesisht shtetet e goditura më rëndë nga COVID-19 dhe që nuk kanë burime vetjake të mjaftueshme, si për shembull shtetet e jugut si Italia, Spanja ndoshta edhe Franca.

Ende nuk është përcaktuar vëllimi përfundimtar i kësaj pakete. Por mosmarrëveshje ka për faktin nëse paketa do të japë kredi apo edhe grante, pra para që marrësit nuk do t’i kthejnë më.

Paketa e rindërtimit ushqehet me para prej buxhetit të ri të Bashkimit Evropian si dhe nga fondi i rindërtimit, që orientohet te buxheti.

Për vëllimin e ndihmës Komisioni Evropian ka përfytyrimet e tij. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se, “nuk flasim për miliarda, por më tepër për një trilion euro”.

Me kërkesën e shteteve anëtare, Komisioni Evropian do të analizojë tani cilët sektorë ekonomikë janë goditur më fort nga kriza e COVID-19 dhe do të paraqesë një propozim në datën 6 maj, ose më e vonta në javën e dytë apo të tretë të majit.

Sensacioni në samitin virtual të BE-së ishte gjithsesi pranimi i mundësisë së dhënies së granteve nga kjo.

Ursula von der Leyen foli për herë të parë se shtetet në nevojë do të marrin edhe grante.

“Duhet gjetur një balancë midis granteve dhe kredive”, tha von der Leyen.

Grantet mendohet se do të ofrohen nga buxheti i Bashkimit Evropian, kurse kreditë nga fondi i rindërtimit.

Fakti që ajo e bëri një deklaratë të tillë tregon se pas perdeve shtetet më të pasura të BE-së janë pajtuar në parim për këtë ofertë.

Dhe që këmbëngulja e shteteve jugore, që edhe ato të fitojnë mundësinë t’i përgjigjen “në mënyrë simetrike” goditjes simetrike ndaj BE-së prej virusit COVID-19, ka shënuar një sukses. Por me gjithë përparimin e bërë, kjo do të kërkojë negociata të reja në BE.

Shkaku për rezervat për grante është nga njëra anë parimor: me grantet institucionalizohet transferta e pasurisë drejt jugut të Evropës, ankohen shtetet veriore. Nga ana tjetër, mënyra e financimit të paketës së rindërtimit të BE e bën edhe më të vështirë argumentimin e subvencioneve për disa shtete.

Kufizimi i përgjegjësisë me instrumentin e ri të BE-së

Negociatat pas dyerve të mbyllura këto ditë kanë arritur një konsensus për mënyrën e financimit të fondit të rindërtimit: ky fond do të financohet me borxhe, me huamarrje, konkretisht përmes emetimit të bonove nga Komisioni Evropian, në emër të BE-së. Paratë nga këto do të derdhen pastaj në buxhetin e ri, shumë më të gjerë se të mëparshmit të BE-së, për vitet 2021-2027. Dhe ky buxhet do t’u japë para shteteve në nevojë për investime publike.

Kjo është rruga më e shpejtë ligjore, e lejuar nga marrëveshjet në fuqi të Bashkimit Evropian. Modeli i ri i bonove të BE-së bazohet në instrumentin e solidaritetit të marrëveshjeve të BE, neni 122, paragrafi i dytë. Këtë e theksoi në fillim të kësaj jave kancelarja gjermane Angela Merkel, në një konferencë për mediet.

Me këtë instrument të ri, përgjegjësinë për bonot e emetuara dhe si pasojë për paratë që do të marrin shtetet në nevojë për rindërtimin do ta mbajnë shtetet anëtare, por në përputhje me pjesën e tyre në prodhimin ekonomik të BE.

Sipas gazetës gjermane Handelsblatt, për Gjermaninë kjo pjesë është 26,9 përqind, për Francën 20.2 për qind.

Është një formë eurobonesh, por nuk quhet zyrtarisht e tillë, pasi përkufizimi i termit Eurobono solli shumë debate.

“Në këtë kuadër Gjermanisë do t’i duhet t’i rrisë ‘përkohësisht’ kontributet në buxhetin e BE-së”, tha kancelarja Angela Merkel drejtuar Bundestagut.

Me instrumentin e ri, dallimi nga Coronabonet ose Eurobonet e zakonshme qëndron në faktin se me këtë formë të re, çdo shtet nuk do të përgjigjet te kapitali i krijuar me borxhet për të gjithë shumën e borxhit të marrë. Kurse me Eurobone të zakonshme, kur një shtet nuk do ta paguante dot borxhin (siç druhen shtetet veriore për shtetet jugore), boshllëkun duhet ta kompensonin gjithë të tjerët.

Italia më e kënaqur se më parë

Italia u detyrua të heqë dorë nga kërkesa për Coronabone, pasi mbeti e vetme. Me gjithë favorizimin për Eurobone të zakonshme (që do të kërkonin megjithatë ndryshimin e marrëveshjeve të BE-së) edhe Spanja e Franca thanë se e mbështesin modelin e ri të obligacioneve.

Që në samitin e së enjtes, shqiptua mundësia e dhënies së granteve duhet të ketë kënaqur kryeministrin e Italisë, Giuseppe Conte. Për më tepër kur Italia, Spanja e disa shtete të tjera kanë edhe një arsye tjetër për të qenë të kënaqura. Banka Qendrore Evropiane deklaroi të mërkurën se do t’u blejë shteteve anëtare bone, letra me vlerë me rrezik të lartë.

Kjo bëhet që besueshmëria e këtyre shtete të mos degradohet në treg nga agjencitë e vlerësimit të riskut, për shkak të krizës së COVID-19. Ky është hapi i parë i këtij lloji nga Banka Qendrore Evropiane, të cilin disa vëzhgues e shikojnë si shkelje të parimeve të deritashme të BE.

Por diskutimi për raportin grante-kredi në programin konjukturor të rindërtimit, si dhe për faktin e dhënies së granteve mbetet i hapur.

Franca, Italia dhe Spanja favorizojnë grantet

Italia dhe Franca janë qartësisht që huatë që do të marrin shtetet nevojtare nga ky program konjukturor i Bashkimit Evropian të jenë grante, pra paratë të mos kthehen. Këtë e kërkoi prerazi këtë javë ministri i Financave të Francës, Bruno Le Maire.

Ç’kuptim ka që të thellohet edhe më tej borxhi kombëtar i shteteve në nevojë me kredi të reja, kur shtetet e jugut janë të zhytura edhe tani në borxhe, pyesin në Paris.

Në një intervistë dhënë gazetës Financial Times para disa ditësh, presidenti i Francës, Emmanuel Macron tërhoqi vëmendjen se disa shtete anëtare nuk i ndihmojnë dot me garanci të gjera (si shtetet veriore) ndërmarrjet vendase, pasi nuk kanë rezerva të mjaftueshme kapitali. Edhe pa COVID-19, borxhi i Italisë është rreth 130 për qind e prodhimit ekonomik (madje edhe borxhi i Francës pritet të arrijë tani 115 për qind të prodhimit ekonomik).

Nga ana tjetër: është e vështirë që disa shteteve më të varfra se Italia të BE, si për shembull, Rumanisë apo Bullgarisë t’u shpjegosh që duhet të marrin përmes BE borxhe (përmes emetimit të boneve, huamarrjeve, të cilat kanë kosto për ta) për t’ia falur paratë pastaj me grante Italisë, Spanjës e ndoshta edhe Francës.

Ndaj kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha në Bruksel se po qe fjala për grante, pra për dhurata, paratë duhet të sigurohen nga programe të tjera evropiane. /Deutsche Welle/

Exit mobile version