Telegrafi

Si do të duken javët e ardhshme në Donbas të Ukrainës?

Rusia po e zhvendos fokusin e saj nga veriu dhe drejt zonës në jug dhe lindje të Ukrainës, të njohur si Donbas.

Analisti i luftës tokësore Nick Reynolds, i cili punon për Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore (RUSI) ka treguar se si mund të duken javët e ardhshme të luftës në Ukrainë.

A ishte i saktë ministri i Jashtëm i Ukrainës kur tha se luftimet në Donbas mund të na sjellin në mendje Luftën e Dytë Botërore?

“Po, mendoj se është e saktë”, ka thënë Reynolds.

Sipas tij, shkruan BBC, përcjell Telegrafi, “me të gjitha forcat e ‘liruara’ nga veriu i Ukrainës… ne do të shohim një përplasje armësh në tokën evropiane që nuk është parë për breza”.

A mund të rimarrë Ukraina ndonjë territor?

Ka shumë faktorë të panjohur këtu, thotë Reynolds.

Sipas tij, shumë ukrainas do të inkurajohen nga tërheqja e forcave ruse në veri, por në jug dhe në lindje “harta është ende ngadalë duke u bërë e kuqe”, dhe kjo po ndodh edhe para se të ketë ardhur ndonjë përforcim nga veriu.

Pra, Rusia sigurisht që ka ende “një vrull” përpara në jug dhe në lindje, thotë ai.

Sa ndryshim mund të bëjnë armët perëndimore?

Armët që vendet perëndimore i kanë dërguar deri më tani Ukrainës kanë ndryshuar lojën, mendon Reynolds.

Armët perëndimore do të jenë “absolutisht thelbësore” në javët e ardhshme, por është e vështirë të dihet se si mund t’i çojnë ato atje ku duhet të shkojnë, shton ai.

Për shembull, sipas tij dronët “Switchblade” mund të “fillojnë të ndryshojnë gjërat në terren brenda një afati të shkurtër kohor” – por ka “shumë pak gjëra të tjera” që mund ta bëjnë këtë. /Telegrafi/