Site icon Telegrafi

Si po i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë

Rusia rekruton qytetarë nga vendet e jugut global në luftën kundër Ukrainës. Nuk është vetëm paga relativisht e mirë, që i josh ata.

Sipas një shkrimi të DW, 21-vjeçari nga Sri Lanka nuk priste të dërgohej në vijën e frontit në Ukrainë, kur nënshkroi kontratën me Ministrinë ruse të Mbrojtjes.

Për mundësinë për t`iu bashkuar ushtrisë ruse kishte dëgjuar nga një bashkëkombas nga Sri Lanka.

Ai i kishte thënë, se nëse do të shërbente për një vit në ushtri, ai dhe prindërit e tij do të merrnin nënshtetësinë ruse.

“Ai më tha, se nuk dërgohesh në front, por shërben vetëm si ndihmës”, thotë i riu.

Kështu në muajin shkurt ai vendosi të nënshkruante shpejt një kontratë dhe mori menjëherë rreth 2000 dollarë.

Atij iu premtua një pagë mujore prej 2.300 dollarësh plus disa përfitime shtesë.

Djali nga qyteti Walasmulla thotë, se ka qenë i detyruar të nënshkruajë një kontratë me ushtrinë, për të fituar statusin e qëndrimit të ligjshëm në Rusi.

Në pranverë, ndërsa ndodhej në një spital ukrainas afër frontit, pasi ishte plagosur dhe zënë rob, ai pranoi të tregonte historinë e tij në kushte anonimiteti.

Ai foli me një gazetar të DW në gjuhën singaleze, përmes një përkthyesi në linjë telefonike, nën vëzhgimin e oficerëve ushtarakë ukrainas, të cilët me sa duket nuk kishin njohuri të mjaftueshme të anglishtes dhe nuk ndërhynin.

Nga thertorja në restorant dhe pastaj në ushtri

“Për shkak të situatës së keqe ekonomike në Sri Lanka”, siç thotë i riu, ai vendosi të merrte një vizë pune në Rusi përmes një agjencie punësimi.

Kriza në vendin e tij është rënduar edhe për shkak të luftës së Rusisë, pasi çmimet e ushqimeve dhe karburanteve janë rritur nga bllokada e eksporteve ukrainase në Detin e Zi.

Burri punoi një vit në një thertore në Rusi dhe, kur i mbaroi viza, jetoi edhe një vit ilegalisht në Moskë, ku punoi në një fast food. Në fund ai iu bashkua ushtrisë ruse.

Pas vetëm dy muajsh shërbimi në brendësi të vendit, u zhvendos në periferi të qytetit të pushtuar ukrainas të Donjeckut.

“I thashë komandantit se doja të kthehesha në Sri Lanka, por ai tha se kjo ishte e pamundur dhe se sipas kontratës do të përballesha me 15 vjet burg në Rusi, nëse arratisesha”, thotë i riu, duke shtuar se në njësinë e tij kishte edhe shtetas nga Nepali, India, Kirgistani dhe Taxhikistani.

Ai kishte qenë vetëm një herë në front – për pesë ditë. Aty u plagos dhe u zu rob.

Rusia detyron migrantët dhe studentë të huaj t’i bashkohen ushtrisë

Siç njoftoi agjencia e lajmeve Bloomberg në qershor, duke cituar zyrtarë evropianë, Rusia ka detyruar mijëra punëtorë emigrantë dhe studentë të huaj t’i bashkohen ushtrisë ruse në luftën kundër Ukrainës.

Nëse refuzonin, të huajt kërcënoheshin se nuk do t’u zgjatej më viza në Rusi.

“Ne jemi shumë, shumë të varfër”, thotë një 35-vjeçar nepalez në një kamp të burgosurish lufte në Ukrainën perëndimore. Ai ia tregoi historinë e tij DW-së në korrik dhe nuk donte t`i përmendej emri. Në këtë bisedë ishte i pranishëm edhe një roje, por ai heshtte dhe dukej se nuk kuptonte anglisht.

Në Nepal burri kishte punuar si shofer taksie – me një pagesë rreth 400 dollarë në muaj. Kjo nuk i dilte për të mbajtur gruan, dy fëmijët dhe prindërit.

Nga disa miq nga India mësoi, se në ushtrinë ruse mund të fitohen “shumë para”.

Kështu ai shkoi në Moskë në tetor 2023, ku u ekzaminua dhe u dërgua në qendrën e trajnimit “Avantgarde” në periferi të kryeqytetit rus së bashku me 60 të huaj të tjerë.

Për këtë objekt kanë raportuar edhe të huaj të tjerë të rekrutuar.

Sipas transmetuesit amerikan CNN, ai shërben vetëm për trajnimin e mercenarëve të huaj.

Atje nepalezi nënshkroi një kontratë vjetore me ushtrinë ruse për një pagë 2000 dollarë në muaj.

Ai tregon, se edhe ai fillimisht u vendos në brendësi të Rusisë, së bashku me një kinez si ndihmëskuzhinierë.

Në njësinë e tij ishin 23 vetë nga Nepali dhe tre nga India. Njëmbëdhjetë të tjerë ishin rusë. Të gjithë komunikonin me njëri tjetrin me ndihmën e sistemeve të përkthimit audio.

Pas një muaji ai u transferua në pozicionet pranë Donjeckut. Aty ai iu lut komandantit, që ta linte të shkonte në shtëpi, por edhe atij iu tha, se ndërprerja e kontratës nuk ishte e mundur.

Disa javë më vonë, në prill, ai u plagos dhe pa ushtarët ukrainas. “Hoqa helmetën, jelekun mbrojtës dhe automatikun, kërkova ndihmë dhe u thashë që vij nga Nepali”, tregon ai.

Njerëz nga jugu global në shërbim ushtarak për Rusinë

Aktualisht janë rreth dhjetë mercenarë të zënë rob nga ukrainasit, thotë Petro Jacenko, zëdhënës i shtabit koordinues për të burgosurit e luftës në shërbimin e inteligjencës ushtarake ukrainase HUR.

“Janë kapur edhe disa të tjerë, por ende nuk janë përfshirë në statistika”, thotë Jacenko për DW.

Sipas tij, në mesin e të burgosurve ka shtetas nga vendet afrikane, si Sierra Leone dhe Somalia, por dhe nga Sri Lanka, Nepali dhe Kuba.

“Janë kryesisht njerëz nga jugu global, nga vendet e varfra”, thotë Jacenko, duke shtuar se një kubanez i ka treguar, se në vendin e tij fitonte vetëm shtatë dollarë në muaj.

HUR nuk ka dijeni, se sa të huaj luftojnë në anën ruse.

Sidoqoftë Rusia i josh të huajt me reklama në rrjetet sociale si dhe direkt me anë të agjitatorëve jashtë vendit, thotë Yacenko: “Atyre u premtohet shpesh punë në firma të ndryshme dhe, kur bëhet fjalë për ushtrinë, u thonë se do të dislokoheni vetëm në brendësi”.

Megjithatë Petro Yacenko nga HUR thekson se në mesin e të huajve ka edhe profesionistë, që luftojnë për Rusinë. “Ata kanë eksperiencë ushtarake dhe e dinë shumë mirë, se ku po shkojnë”, thotë Yacenko.

Jo të gjithë janë viktima të mashtrimit.

Mercenarët e huaj klasifikohen si robër lufte

“Për sa kohë nuk ka gjyq kundër tyre, ata mbahen si ushtarë rusë të zënë robër”, thotë Yacenko lidhur me statusin e këtyre të huajve.

Asnjë prej tyre ende nuk është liruar përmes shkëmbimit apo procedurave të tjera.

“Disa vende, veçanërisht Sri Lanka dhe Nepali, janë të interesuar t`i marrin qytetarët e tyre. Kjo na mundëson ne që të negociojmë”, thotë zëdhënësi i HUR.

Edhe të huajve u ofrohet ndihmë për të ikur nga ushtria

Të njohura janë edhe rastet, kur të huajt janë arratisur nga pozicionet ruse. Në maj HUR njoftoi, pa dhënë shifra, për një ikje masive të mercenarëve nga Nepali, të cilët ishin stacionuar në rajonin e pushtuar të Luhanskut.

Dhe në qershor stacioni Francë 24 njoftoi për 22 srilankezë, që ishin arratisur nga ushtria ruse.

Aktivistët e organizatës ruse për të drejtat e njeriut “Idite lesom” (“Ecni nëpër pyll”) ndihmojnë për arratisjen nga ushtria ruse – sidomos rusët dhe ukrainasit, që janë marrë me forcë në ushtri në territoret e pushtuara nga Rusia. Por ata kujdesen edhe për qytetarët e vendeve të tjera.

Ivan Chuvilyaev, përfaqësues i organizatës, konfirmoi në një intervistë për DW, se aktivistët kishin qenë në gjendje të ndihmonin edhe qytetarë nga vendet afrikane dhe Afganistani, për t`u arratisur. Sipas tij mënyra se si Rusia rekruton të huajt në ushtri, nuk ndryshon nga rekrutimi i qytetarëve të saj.

“Përfitohet nga fakti, që njerëzit nuk e njohin ligjin dhe janë në një situatë të pasigurt financiare”, thotë aktivisti i të drejtave të njeriut. /DW/

Exit mobile version