Atletico Madridi ka shumë besim se ky sezon që po vije do të jetë i mrekullueshëm dhe për këtë kanë shumë arsye të besojnë, duke filluar që nga mbajtja e yjeve e deri te përforcimet rekorde.
Në fillim të afatit kalimtar të transferimeve ata arritën ta mbajnë Antoine Griezmannin, ndërsa më pas edhe Diego Godinin që kërkohej nga Manchester United.
Përveç kësaj ata kanë arritur të nënshkruajnë me lojtarin më të shtrenjtë në histori të klubit Thomas Lemar.
Lemar tregoi kundër Stutgartit cilësinë e tij dhe pritet shumë nga ai këtë sezon, shkruan Marca, transmeton Telegrafi.
Gelson Martins është një tjetër lojtar i madh që ka ardhur, ndërsa skuadra mund të ketë nevojë pasi ai ka shënuar 13 gola sezonin e shkuar për Sportingun.
Skuadra ka Oblakun, i cili është portieri që ka pranuar më pak gola gjatë tre sezoneve të fundit në LaLiga, ndërsa janë përforcuar edhe me Adanin me përvojë.
Klubi e ka përforcuar edhe mbrojtjen ku kanë nënshkruar me Santiago Ariasin nga PSV.
Në mesfushë ka ardhur Rodri, një lojtar i dëshmuar në Spanjë me Villarrealin.
Ai është i sigurt se do të ketë shumë ndeshje me klubin edhe pse konkurron për një vend me yje Koke, Saul dhe Thomas.
Te Atletico nuk janë vetëm Diego Costa dhe Griezmann, pasi tani në sulm është edhe Nikola Kalinic, i ardhur së fundmi.
Së bashku me këta tre janë edhe Lemar, Martins, Vitolo dhe Correa, që të gjithë të gatshëm ta ndihmojnë sulmin.
Atletico Madridi ka një skuadër të fortë dhe një trajner të madh si Diego Simeone.
Ai ka fituar titullin dhe trofe evropian me klubin, por Liga e Kampionëve mbetet ëndrra e tij dhe e klubit dhe përderisa finalja zhvillohet në Wanda Metropolitana, atëherë ëndrra do të vazhdojë edhe këtë sezon. /Telegrafi/