Krzysztof Piatek është duke kaluar nëpër një formë të jashtëzakonshme me fanellën e Genoas.
Sulmuesi i talentuar polak ka shënuar gjashtë gola në pesë ndeshjet e para në Serie A.
Përveç golave në kampionat, Piatek ka shënuar edhe katër gola të tjerë në një ndeshje të Kupës së Italisë.
Kjo ka bërë që për të të shprehin interesim shumë skuadra të mëdha evropiane.
Dy gjigantët gjerman, Bayern Munich dhe Borussia Dortmund janë ekipet më të interesuara, madje kampionët e Bundesligës kanë dërguar edhe skautë për ta parë nga afër lojtarin.
Ndërsa në garë për të mbetën edhe Chelsea dhe kampioni në fuqi i Italisë, Juventus.
Por mediat italiane së fundmi kanë shkruar se është shtuar numri i skuadrave që e duan polakun.
Skuadrat tjera të mëdha italiane, si Roma, Milan, Inter dhe Napoli gjithashtu janë duke përcjellë me vëmendje lojtarin.
23-vjeçari iu bashkua Genoas për vetëm 4,5 milionë euro nga skuadra polake Cracovia.
Ndërsa klubi italian po shpreson në vazhdimësinë e formës së Piatekut për të fituar rreth 50 milionë euro nga shitja e tij në janarin e vitit 2019. /Telegrafi/