Telegrafi

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kërkojnë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që të përjashtohet Rusia nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, pasi Ukraina ka akuzuar trupat ruse për vrasjen e civilëve në qytetin Bucha.

Siç raporton Reuters, gjatë fjalimit të mbajtur në Bukuresht, ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se anëtarësimi i Rusisë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut është thjesht farsë, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Ministri i Jashtëm ukrainas thotë se krimet e Rusisë në Bucha janë vetëm “një copëz e majës së ajsbergut”

“Kjo është e gabuar, për këtë besojmë se është koha që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ta përjashtojë”, tha Thomas-Greenfield.

Që kur filloi pushtimi rus në Ukrainë gjatë 24 shkurtit, Asambleja ka miratuar dy rezoluta me të cilat dënon Rusinë me të paktën 140 vota për.

“Porosia imë për ato 140 vende që kanë qëndruar me trimëri të bashkuar është: fotografitë nga Bucha dhe tmerret në tërë Ukrainën kërkojnë nga ne që fjalët tona t’i shndërrojmë në vepra”, shtoi ambasadorja Thomas-Greenfield gjatë fjalimit të mbajtur në Rumani. /Telegrafi/