Presidenti Ilir Meta ka dekretuar dy ligjet e miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, për anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike të Finlandës dhe të Suedisë.
Kreu i shtetit shqiptar nuk ka humbur kohë dhe ka dekretuar pa vonesa këto dy ligje që ratifikojnë protokollin e NATO-s për dy anëtarësimet e reja.
Shqipëria ka ndjekur me përparësi procedurat e brendshme ligjore lidhur me anëtarësimin e këtyre dy vendeve në NATO.
“Anëtarësimi i këtyre vendeve mike patjetër që është një zhvillim historik dhe ndryshim i madh strategjik, që mbështetet në çdo hap nga Shqipëria. Jemi të bindur se anëtarësia e tyre do të ndikojë në forcimin e kontributit të përbashkët në këtë aleancë. Së bashku qëndrojmë më të fortë”, thuhet në mesazhin e Presidencës së Shqipërisë.
Shqipëria pas Kanadasë bëhet kështu shteti i dytë anëtar i NATO-s që aprovoi zgjerimin e aleancës veri-atlantike të mbrojtjes me dy shtetet veriore evropiane.
Deri më tani, vetëm Turqia e ka kundërshtuar anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë, por këto kundërshtime janë mënjanuar pasi që dy shtetet kanë bërë një sërë kompromisesh me këtë anëtar të NATO-s. /Telegrafi/