Telegrafi

Shqetësimi për financimet ruse, zbardhet takimi i ambasadores amerikane me Ballën dhe Alibeajn

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, takoi të premten krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, përkatësisht Taulant Balla dhe Enkelejd Alibeaj.

Takimi u bë pas shqetësimeve të ngritura nga ambasada amerikane për financimeve ruse në politikën shqiptare.

Pas takimit, Balla theksoi se do të vazhdohet të punohet ngushtësisht me SHBA për “përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”.

“Gjithmonë të frytshme takimet me Ambasadoren e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim. Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë edhe në përmirësimin e kuadrit ligjor për financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Rusia është e përfshirë prej kohësh në sulmet ndaj demokracisë në shumë vende përmes financimit të partive politike dhe aktorëve të tjerë”, ka thënë Balla.

“Kujtoj se Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në dhjetor 2019 një Rezolutë “Për ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, duke i’u referuar pikërisht këtyre kërcënimeve dhe duke u kërkuar institucioneve marrjen e të gjitha masave mbrojtëse dhe parandaluese”, shkruan Balla në Facebook.

“Sot zhvillova një takim të frytshëm pune me Ambasadoren e SHBA në Tiranë, zonjën Yuri Kim. Nisja e sezonit të ri parlamentar dhe sfidat e reja gjatë kësaj periudhe ishin në qendër të bisedës”, tha në anën tjetër Alibeaj.

“Disa nga çështjet kryesore ishin përmirësimi i legjislacionit në fuqi, reforma administrative – territoriale dhe ecuria e Grupit Parlamentar të PD-së. E falenderova zonjën Kim për mbështetjen që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në përballjen me sulmin kibernetik të Iranit. E sigurova se PD i është mirënjohëse ShBA-ve që përgjatë gjithë historisë së re dhe të vjetër të vendit tonë, ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës”, lexohet në postimin e Alibeajt në Facebook. /Telegrafi/