Profili i Diego Costas në Instagram është goditur nga një aktivitet i madh dhe fansat e Beskitasit qëndrojnë pas gjithë kësaj.
Spanjolli ka postuar një fotografi dhe deri më tani ka marrë 2.5 milionë komente, shumica nga to janë nga tifozët duke i kërkuar atij t’i bashkohet klubit turk të lartpërmendur.
Costa, kaloi tre sezone fantastike te Chelsea, por duket se tani ai do të largohet nga Stamford Bridge pasi nuk është në planet e Antonio Contes për sezonin e ri.
Në muajin qershor sa ishte i grumbulluar me Përfaqësuesen e Spanjës, lojtari zbuloi se ka marrë me mesazh nga tekniku italian ku i kumtoi lajmin se nuk është në planet e tij.
Dhe kështu ai menjëherë është lidhur me kalimin te shumë klube të mëdha, transmeton Telegrafi.
Më së afërmi ishte me Atletico Madridin, por klubi spanjoll u dënua nga FIFA që mos të bëjë transferime dhe kështu Diego mbeti pa iu bashkua ish-skuadrës.
Por, duket se kjo vetëm sa motivoi tifozët e klubeve tjera të provojnë t’ia ndrrojnë menjën sulmuesit.
Tifozët e Besiktas janë ata që po e prijnë garën dhe kanë arritur të bien në sy pasi brenda tre ditësh kanë arritur të bëjnë 2.5 milionë komente te postimi i fundit në profilin e lojtarit në Insta.
Costa shfaqet në fotografi me brazilianin Petros Araujo, i cili luan për Sao Paulon dhe nuk ka lidhje Besiktasin.
Tifozët dëshirojnë të bindin lojtarin t’i bashkohet klubit të tyre dhe pas miliona komenteve edhe mund t’ia kenë arritur.
Mediat raportojnë se klubi turk ka filluar të lëvizë drejt lojtarit. /Telegrafi/