Telegrafi

Shpërndahet në rrjete sociale videoja e çiftit Zelensky për Shën Valentin kur përjetonin çaste lumturie, kurse sot janë shënjestër e armiqve

(Foto: Screenshot/Instagram/zelenskiy_official)

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe bashkëshortja e tij, Olena, janë në qendër të vëmendjes që nga fillimi i sulmeve ruse. Ai si një lider trim – të cilin shumë do ta donin në vendin e tyre, dhe ajo – si mbështetja e tij e pafund.

Këto ditë në rrjetet sociale ka qarkulluar një video, të cilën çifti e kishte xhiruar më 14 shkurt, për Ditën e të Dashuruarve, duke ndarë një moment romantik.

Në xhirim, të dy shfaqen të disponuar me buzëqeshje në fytyrë, ndërsa shumëkush është mahnitur nga energjia e tyre, derisa disa kanë thënë se edhe këto ditë çifti vazhdon të ketë qëndrim të njëjtë për njëri-tjetrin.

Të pavetëdijshëm se sulmet ndaj vendit të tyre do të fillonin 10 ditë pas këtij publikimi, ata thanë: “Ne jemi bashkë. Ne jemi në shtëpi. Jemi në Ukrainë”, ndërsa në fund e kanë puthur njëri-tjetrin në faqe.

Lexo po ashtu LIVE: Dita e 11-të e agresionit rus: Macron i tërheq vërejtjen Rusisë, Putin tregon kushtet për ndaljen e sulmit në Ukrainë

Bashkëshortja mbante në duar edhe një buqetë me lule dhe ende nuk mungojnë komentet e njerëzve që shprehin mbështetjen ndaj tyre.

Olena, e cila në fillim nuk ishte dakord me vendimin e të shoqit për t’u përfshirë në politike, sot është një mbështetëse besnike për të në momentet më të vështira. Ajo nuk është larguar nga Ukraina dhe së bashku me fëmijët, vajzën dhe djalin, qëndrojnë të fshehur në një strehë.

Në një deklaratë të mëhershme, Zelensky ka thënë se i ka parë vetëm një herë gruan dhe fëmijët që nga fillimi i sulmeve ruse mbi Ukrainën. /Telegrafi/