Është shpallur fituesi i tenderit i cili pritet të ofrojë shërbime të informimit për fushatën e liberalizimit të vizave, për nevojat e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Sipas njoftimit për dhënien e kontratës të publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), vlera e këtij tenderi është 139,200 euro.
Kompania fituese e kësaj kontrate është AMC Corporation, me adresë në Prishtinë.
Ka qene vetëm një, numri i tenderëve të pranuar gjatë aplikimit, i cili ka qenë i hapur deri në fund të muajit gusht, ndërsa data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës është 15 shtatori.
Dosja e tenderit thotë se qëllimi i kësaj kontrate është që të ofroj shërbime për fushata ta ndryshme informuese për vet nevojat e ZKM-së.
“Qëllimi i kontratës publike kornizë është që të përcaktohen kushtet për shërbime të informimit publik për nevojat e ZKM-së. Shërbimet përmbajnë fushata të ndryshme informuese, reklama televizive, shërbime nëpër portale online, shtyp, etj.”, thuhet në dosjen e tenderit, shkruan Telegrafi.
Lloji i procedurës në këtë tender ka qenë i hapur, por se ka pasur kufizime në numrin e operatorëve që janë ftuar për tenderim.
“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidat do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidat të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të ri-ekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”, theksohej në dosjen e ftesës për tenderim.
Me anë të kësaj kontrate do të ofrohen 19 lloje të shërbimeve.
Kohëzgjatja e kontratës për kryerjen e këtyre shërbimeve është 24 muaj. /Telegrafi/