Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të rritjes së pagave për zyrtarët qeveritar ka nxitur reagime të shumta.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se Kuvendi është institucioni që duhet të vendosë për rritjen e pagave, e jo Qeveria.
Florent Spahiu nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se nuk është pritur një vendim i tillë nga Gjykata Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese është dashtë ta shpallë atë (vendim), të pabazuar në Kushtetutë dhe të pabazuar në ligj, meqë nuk kemi një ligj i cili rregullon çështjen e pagave për zyrtarët e lartë publik”, është shprehur këshilltari ligjor i KDI-së, në një prononcim për RTV Dukagjinin.
Ndërsa Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, u shpreh se ky vendim i Kushtetueses i ngatërron kompetencat mes institucioneve, përcjell Telegrafi.
“Kuvendi i Kosovës është autoriteti kompetent për të miratuar ligjin e buxhetit dhe Kuvendi i Kosovës është autoriteti që vendos për pagat e funksionarëve të lartë. Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese këto kompetenca ja merr Kuvendit dhe ja jep Qeverisë, dhe në njëfarë mënyrë këtë aktvendim e bën të dobët për t’u besuar publiku dhe nga qytetarët e Kosovës”, është shprehur Ehat Miftaraj.
Kurse njohësi i çështjeve buxhetore, Mustafë Kadriaj, ka thënë se ky vendim do ta dëmtojë buxhetin e shtetit.
“Ky vendim dëmton buxhetin e shtetit, por duke marrë krahasimet mes institucioneve qeveritare dhe disa institucioneve tjera varëse ndaj institucioneve qeveritare siç janë Trusti, AKP, Telekomi etj., mendoj se në këtë rast Gjykata Kushtetuese vetëm sa e ka arsyetuar vendimin e Kryeministrit./Telegrafi/