Këtë të diel në katër komunat në veri të Kosovës, qytetarët votuan nëse duan apo jo të largojnë kryetarët aktualë shqiptarë.
Procesi u mbajt mes thirrjeve nga Lista Serbe për bojkotimin e votimeve në komunat e banuara me shumicë serbe.
Vendvotimet ishin hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kishin 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.
Në katër komunat në veri ishin vendosur 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.
Që votimi të ishte i suksesshëm duhej që të votohej minimalisht, 50% + 1 qytetar. Nëse përmbushet ky kusht, atëherë brenda afateve ligjore mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në rast se pjesëmarrja është më e ulët se 50%+1, atëherë votimi konsiderohet i dështuar dhe një iniciativë tjetër nuk mund të merret pa kaluar 12 muaj.
Krasniqi: Kosova përmbushi pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në reagimin e tij të parë pas përfundimit të procesit të votimit në veri ka thënë se qeveria siguroi infrastrukturën dhe dha mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik.
“Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, ka shkruar Krasniqi në platformën X.
Edhe ai sikurse Presidentja ka kërkuar reagimin e Bashkimit Evropian sa i përket largimit të masave ndaj Kosovës.
“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës”.
“Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, ka shkruar Krasniqi.
EULEX-i përshëndet mënyrën paqësore të zhvillimit të votimit në veri
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano është shprehur i kënaqur se si ka shkuar procesi i votimit në katër komunat veriore.
Përmes një postimi në platformën X, Barbano ka thënë se për EULEX-in është i pranueshëm zhvillimi i një procesi paqësor të votimeve.
“Pas përfundimit të votimit, EULEX-i pranon mënyrën paqësore në të cilën u zhvillua procesi. Përshëndesim përpjekjet e shfaqura nga të gjithë ata që janë përfshirë në ofrimin e sigurisë në 4 komunat veriore gjatë gjithë ditës”, ka shkruar Barabano.
Osmani: Kosova plotësoi kushtet e BE-së, të hiqen masat e padrejta menjëherë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar pasi janë mbyllur kutitë e votimeve në veri.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se Kosova u dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj.
“Qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi. Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale”.
Presidentja tha se edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër.
“Edhe njëherë, Vuçiqi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, shtoi ajo.
“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë”, ka shkruar tutje Presidentja.
Osmani ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet e sigurisë, si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin.
“Me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE-ja. Masat e padrejta kundër Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka përfunduar Osmani.
Dështoi iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.
Në një konferencë për media, Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, ka bërë të ditur se në procesin e sotëm të votimit kanë marrë pjesë vetëm 253 persona.
“23 qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19:00. Sipas të dhënave që kemi pranuar nga komisionit komunale zgjedhore në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar pro apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre. Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues, nga 13.674 votues apo 0.91%, në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%, në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7.209 pra kemi 0%. Në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18.796 apo 0.59%. Duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces ju njoftojmë se nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale në Republikën e Kosovës, pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, ka thënë Radoniqi.
Ai ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përkundër sfidave, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për të organizuar procesin e votimit në këto komuna, duke dëshmuar përkushtimin e madh që qytetarëve t’iu mundësojë realizimin e të drejtës së tyre demokratike dhe ligjore.
Radoniqi ka falënderuar të gjithë stafin, akterët tjerë institucional dhe vëzhguesit që ndihmuan KQZ-në në organizimin e këtij procesi, Gjithashtu, shprehim mirënjohje edhe për punën e mediave dhe informimin e vazhdueshëm që e ofruan nga terreni. Për të gjithë ata që duan të dinë rezultatin se si janë përgjigjur qytetarë në pyetjen e parashtruar statistikat do t’ua ofrojë në ndërkohë zëdhënësi i KQZ-së.
Mblidhet materiali zgjedhor në Leposaviq
Pak pas orës 19:00, atëherë edhe kur u mbyllën qendrat e votimit në Leposaviq, ka nisur bartja e materialit të votimit.
Sipas të dhënave nga KKZ, numri i qytetarëve që kanë votuar deri në ora 15:00 në komunën e Leposaviqit ka qenë 122 nga mbi 13 mijë sa kishin të drejtë, në tetë qendra votimi.
Për shkarkim të kryetarëve duhet të ketë së paku 50 për qind plus një votues me të drejte vote, në secilën nga katër komunat.
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka hedhur poshtë mundësinë e falsifikimit të votave dhe shkeljen e mundshme të privatësisë gjatë procesit të votimit sot në katër komunat veriore.
Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se vendosja e kabinave dhe kamerave do ta pamundësojë fotografimin e votës dhe nuk e cenon fshehtësinë e saj.
Ai ka theksuar se i gjithë procesi i votimit nuk monitorohet nga KQZ dhe se filmimet e kamerave do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor në rast se nuk do të ketë kërkesa nga institucionet.
Ndryshe, sot banorët e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut kishin rastin të vendosin pro apo kundër largimit të kryetarëve të këtyre komunave, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet e mbledhura nga mesi i muajit janar.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi, ka ftuar për bojkot të këtyre zgjedhje.
KQZ do të mbajë konferencën e radhës në ora 19:30, ku do të del me ecurinë e procesit e votimit në tërësi.
Mbyllen qendrat e votimit në veri
Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit në komunat veriore, ku për 12 orë u votua pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve.
Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielën mundësinë për të votuar pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve.
Demokracia në Veprim ka vëzhguar procesin e votimit për ose kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të vendit në të gjitha qendrat e votimit që nga hapja e tyre në orën 07:00 të mëngjesit.
Sipas vëzhgueseve, të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur me kohë, pra në orën 19:00 ndërsa nuk është raportuar për asnjë rast ku qytetarët kanë qenë duke pritur në rradhë për të votuar.
Procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës. DnV vlerëson se kjo ishte një mundësi e humbur për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj të komunave të cilët do të gëzonin legjitimitet përfaqësues. Hedhja e votës është instrumenti i parë demokratik përmes së cilës qytetari krijon lidhshmëri dhe pjesëmarrje në politikat lokale e më pas edhe ka mundësi të kërkojë llogari nga të zgjedhurit.
Sipas Demokracisë në Veprim kushtet teknike nëpër disa Qendra të Votimit, përkatësisht vendvotime nuk kanë plotësuar standardet e procesit të votimit. Vlen të përmendet përzgjedhja joadekuate e objekteve të cilat kanë luajtur rolin e Qendrave të Votimit, pasuar nga grumbullimi i disa vendvotimeve në një hapësirë të vetme, vendosja e vedvotimeve në katet e larta të ndërtesave komunale, improvizimi i zyrave ose dhomave të ngushta si vendvotime si dhe mungesa e ngrohjes apo ndriçimit në vendvotimet e organizuara në kontejnerë.
Megjithatë, procesi i sotëm ka rrjedhë në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident.
Kastrati: Deri më tani në Zubin Potok kanë votuar 17 qytetarë
Agim Kastrati zyrtar i lartë komunal nga KQZ për Komunën e Zubin Potokut ka thënë se procesi zgjedhor ka shkuar mirë.
Në një prononcim për Telegrafin ai ka thënë se ashtu si komunat tjera edhe këtu pjesëmarrja ka qenë shumë e ulët.
“Ne si KQZ u kemi dhënë mundësi votuesve të votojnë. Situata është si është. Deri tani kanë votuar 17 votues, apo 0.25 për qind e trupës elektorale. Procesi është zhvilluar pa asnjë incident”, ka deklaruar Kastrati.
Ai thotë se moti nuk ka qenë aspak i përshtatshëm por janë marrë masa.
“Sidomos në kontejnerë temperaturat kanë qenë shumë të ulëta, por anëtarët e qendrave të vendvotimit janë përgatitur dhe janë veshur pak më trashë”.
Kastrati ka thënë se materiali zgjedhor është shpërndarë në kohë dhe sipas tij kësaj radhe edhe ushqimin për komisionerët e ka siguruar KQZ./Telegrafi/
DnV e quan dështim votimin në veri
Në shumë qendra votimi nuk plotësohen kushtet për të garantuar votë të lirë, deklaron Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim (DnV).
Ai konsideron se këto votime janë të dështuara për shkak të pjesëmarrjes së ultë të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore.
Kryeziu thotë se qytetarët serbë janë viktimë e Listës Serbe dhe Beogradit.
Qendrat janë hapur me kohë, megjithatë nuk ka pasur interesim të qytetarëve.
“Është një proces i qetë, normalisht ka problematikat e veta në aspektin teknik dhe organizativ të këtij procesi qe fillon nga dje kur KQZ me vonesë ka përcaktuar qendrat e votimit. Dhe në këto qendra të votimit nuk ka arritur të njoftojë qytetarët me kohë të mjaftueshme se ku janë këto qendra të votimit. Në shumicën e qendrave nuk ka as shenja paraprake që orientojnë qytetarët potencialisht se ku janë këto qendra të votimit. Mendoj se shenjat teknike si në këtë qendër, vendvotimet janë caktuar në katin e katërt, janë kushte jo të mjaftueshme për personat me aftësi të kufizuara, ku personat me vështirësi me moshë të caktuar. Normalisht hapësirat në disa qendra, të cilat në ditën e fundit janë marrë vendim që të jenë qendra votimi nuk i plotësojnë mjaftueshëm kushtet për të garantuar votë të lirë dhe të drejtë marrë parasysh hapësirave të ngushta”, deklaroi ai.
Problem tjetër, shton Kryeziu, është edhe mënyra e vendosjes së kamerave në vendvotime.
“Mënyra se si është vendosur kutia e votimit ose kutia ku duhet të votohet, mendoj që është e ekspozuar përballë këtyre kamerave, por edhe komisionarëve në këto hapësira të ngushta. Dhe kjo mendojmë që është intimiduese dhe nuk garanton fshehtësinë e votës”, shtoi ai.
Sipas tij, Lista Serbe ka ndikuar te qytetarët që të ketë pjesëmarrje të ulte në procesin e votimit.
KQZ: Deri në orën 15:00 kanë votuar gjithsejtë 203 qytetarë në veri
Që nga ora 07:00 e deri në orën 15:00 në katër komunat në veri, në procesin e votimit për shkarkimin e qytetarëve kanë marrë pjesë vetëm 203 qytetarë.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në konferencën e tretë të KQZ-së për procesin e sotëm të votimit.
“Duke u mbështetur në të dhënat që kemi pranuar deri më tani ju njoftojmë që procesi i votimit po vazhdon. Nga të dhënat që kemi nga Komisionet Komunale të zgjedhjeve në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 15:00 është si në vijim: Leposaviq 122, Zubin Potok 17, në Zveçan s’kemi asnjë votues dhe në Mitrovicë të veriut 64 votues”, tha Elezi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të votimit dhe të shprehin përmes votës nëse janë pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve. /Telegrafi/
Shefi i EULEX-it: Po monitorojmë situatën në veri në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in
Shefi i EUELX-it, Giovanni Pietro Barbano ka thënë se EULEX-i është duke monitoruar procesin e votimit në veri të Kosovës.
Barbano në një postim në “X” ka shkruar se monitorimi i situatës së përgjithshme në katër komunat në veri po bëhet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
“Në koordinim me PK-në dhe KFOR-in, EULEX-i është duke monitoruar situatën e përgjithshme të sigurisë rreth vendvotimeve në 4 komunat ku po zhvillohet votimi për shkrimin e kryetarëve”, është shprehur shefi i EULEX-it.
Ndryshe, sot do të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në 19:00. /Telegrafi/
In coordination with KP and KFOR, #EULEX is monitoring the overall security situation around the polling stations in the 4 municipalities wherein the vote on the recall of mayors is taking place.
— Giovanni Pietro Barbano (@EulexHoM) April 21, 2024
Ambasadori gjerman përcjell nga afër procesin e votimit në Zubin Potok
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka vizituar qendrën e votimit në objektin e Zubin Potokut, ku po votohet “pro” apo “kundër” shkarkimit të kryetarit Izmir Zeqiri.
Në këtë komunë të drejtë vote kanë mbi 6 mijë qytetarë. Deri në orën 11:00 këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar vetëm shtatë qytetarë.
Diplomati gjerman nuk ka preferuar të deklarohet për media gjatë kësaj vizite.
Policia: Deri më tani nuk ka pasur asnjë incident në veri – jemi të gatshëm për të reaguar në rast nevoje
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka folur para mediave lidhur me situatën e sigurisë në katër komunat, ku po ushtrohet procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve aktualë shqiptar.
Elshani ka thënë se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë, stabile dhe delikate duke marrë parasysh ngjarjet që kanë ndodhur nga viti 2022 e deri tani.
Sa i përket procesit të sotëm të votimit, Elshani u shpreh se çdo gjë është në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë incident.
“Policia është e involvuar në planifikimin e ditës së referendumit të sotëm, që do të thotë edhe dje edhe sot ne jemi në vazhdimësi në bashkëpunim me KQZ-në. Mirëpo nuk kemi pa ndonjë problem që është duke ndodhur ose nuk kemi paraparë, nuk kemi inteligjencë e informatë nëse ka mundësi sot të jetë një ditë diçka më e tensionuar”, ka deklaruar Elshani.
Zëvendësdrejtori i policisë shtoi se në rast nevoje, ka mjaftueshëm policë për t’i bërë reagimet e nevojshme./Telegrafi/
Haziri: Bojkoti i votimit në veri duhet të jetë shqetësim i madh për Qeverinë dhe Republikën
Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri ka komentuar procesin e sotëm të votimit në katër komunat në veri të Kosovës.
Haziri ka thënë se mosdalja apo bojkoti i qytetarëve në këtë proces, duhet të jetë shqetësim shumë i madh për Qeverinë dhe Republikën.
“Mosdalja apo bojkoti duhet të jete shqetësim shumë i madh për Qeverinë dhe Republikën. Ky është “shkarkim plebishitar” i kryetarëve legalë, por pa legjitimitet”, ka shkruar Haziri.
Ai ka shtuar se lojaliteti ndaj ftesës së presidentit serb për bojkot nuk u përfill nga 85 + qytetarë.
“Ku mbeti de-eskalimi, përfundimi i bojkotit apo edhe dialogu me serbët e Kosovës në vend të dialogut me Serbi”, ka shtuar Haziri. /Telegrafi/
Procesi i votimit në Zveçan dhe veri të Mitrovicës përmes fotografive
Në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan që nga ora 07:00 janë hapur qendrat e votimit.
Numër i vogël i qytetarëve janë parë duke ushtruar të drejtën e tyre për votim lidhur me shkarkimin a po jo të kryetarëve aktual në këto komuna.
Sipas rezultateve nga ana e KQZ-së deri në orën 11:00 në katër komunat në veri kanë votuar vetëm 85 qytetarë.
Ekipi i Telegrafit ka vizituar qendrat e votimit në Zveçan dhe në veri të Mitrovicës.
Lajmi i plotë KËTU.
Pa rrymë e duke rrjedhur uji, kushtet e vështira në qendrën e votimit në Leposaviq
Pa rrymë elektrike, në të ftohtë të madh e duke rrjedhur uji. Kështu po organizohet procesi zgjedhor në një kontejner në Koshtovë të Leposaviqit.
Në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote 63 qytetarë. Ndërkaq, deri më tani asnjë qytetar nuk ka shfrytëzuar të drejtën e votës, përfshirë kryetarin e kësaj komune, Lulzim Hetemin.
Kryekomisioneri Albert Bekteshi ka treguar se që nga mëngjesi kanë mungesë të rrymës elektrike.
“Gjendja e punës është siç po e shihni edhe vet. Problemet kanë filluar nga ora 7 e mëngjesit kur u hap edhe qendra. Rryma elektrike mungonte, për shkaqe të mungesës së energjisë elektrike edhe kamera nga KQZ nuk mund të hyjë në funksion për shkak të rrymës. Diku në orën 07:30 e sjellën një gjenerator per ta funksionalizuar kamerën nga KQZ, e funksionalizuam dhe për një orë gjeneratori u fik për shkaqe që nuk e dimë as ne. I lajmëruam KKZ në Leposaviq, ende nuk kemi përgjigje”, deklaroi ai.
Ai shtoi se i kanë lajmëruar të gjithë për kushtet e vështira, por nuk kanë ndërmarrë diçka.
“Këto kushte na i cenojnë neve së pari shëndetin, e shihni vet qe është i ftohtë i madh edhe për më tutje KQZ vendos”, shtoi ai
Kryetari i Zveçanit: Nuk e kam ndërmend të votoj, është procedurë e nisur nga Lista Serbe
Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci ka thënë se në këtë komunë të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe procesi po shkon në rregull deri më tani.
“Unë po flas vetëm për komunën time, deri më tani nuk ka dalë asnjë votues. Te shohim tash e tutje. Me rëndësi është nga ana ime si kryetar komune që çdo të shkoj në rregull”, tha Peci për Telegrafin.
Peci tha se nuk e ka ndërmend të dalë të votoj.
“Jo nuk kam dalur ende dhe nuk e kam ndërmend të dal. Është nisur nga një parti, nga Lista Serbe dhe nuk e shoh të arsyeshme pse të dal”, ka thënë ai.
Kryetari i Zveçanit shtoi se do ta vlerësojnë vendimin dhe vullnetin e çdo qytetari.
“Deri më tani kemi pasur takime me qytetarët e Zveçanit, dhe do ta shohim sot vullnetin e tyre për ose kundër”, u shpreh Peci. /Telegrafi/
KQZ tregon sa qytetarë kanë votuar deri në orën 11:00 në katër komunat veri
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e dytë për sot lidhur me procesin e votimit në katër komunat në veri për shkarkimin e kryetarëve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi para mediave ka bërë të ditur se qendrat e votimit janë të hapura
“Sipas të dhënave në këto katër komuna numri i qytetarëve që kanë votuar deri në orën 11:00 është si vijon: Leposaviq 46 votues, Zubin Potok 7 votues, Zveçan asnjë votues, në veri të Mitrovicës 32 votues”, tha Radoniqi.
Lajmi i plotë KËTU.
Ambasadori Szunyog përcjellë nga afër procesin e votimit në veri
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog është duke përcjellur nga afër procesin e votimit në katër komunat veriore.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë njofton se BE ka gjithsej 60 anëtarë që po vëzhgojnë procesin e votimit.
“Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar sot qendrat e votimit në Bërnjak dhe në Çabër, fshatra të komunës së Zubin Potokut, në kuadër të Vëzhgimit Diplomatik të organizuar nga BE-ja në Kosovë. Vëzhgimi diplomatik përfshin 17 ekipe me gjithsej 60 anëtarë nga BE-ja në Kosovë, shtetet anëtare të BE-së dhe vendet partnere, synon të fitojë njohuri mbi procesin e tërheqjes së kryetarëve të komunave”, thuhet në njoftim./Telegrafi/
Krasniqi shkon në Leposaviq: Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka vizituar sot komunën e Leposaviqit për të parë nga afër procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve.
Para mediave Krasniqi ka thënë se Lista Serbe, e cila ka bërë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor të së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore, i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë ai.
Lajmi i plotë KËTU.
Në Leposaviq patën disa probleme të vogla teknike
Kryesuesi i KKZ-së në Leposaviq, Zoran Stojanoviq ka folur para mediave për mbarëvajtjen e procesit të votimit në këtë komunë.
Ai ka thënë se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe kanë pasur vetëm disa probleme të vogla teknike.
“Deri më tani janë hapur të gjitha qendrat e votimi nga të gjitha informatat që i kam marrë, deri tani ka pasë disa probleme teknike”, tha ai.