Jo të gjithë lindin të pasur e të suksesshëm, por vullneti dhe dëshira për të punuar na bën të tillë. Edhe emrat e famshëm të televizionit, kulturës dhe politikës, dikur kanë qenë disa të rinj me dëshirë për t’u bërë dikushi në jetë, por e kanë filluar nga hiçi, duke bërë punë që juve s’ua merr mendja.
Të rinj, me vullnet dhe dëshirë për të punuar, ata kanë bërë dhe punë që ndoshta nuk ishin ajo çfarë donin të bënin me jetën e tyre.
Por, ky ka qenë vetëm fillimi, pasi koha dhe aftësitë kanë treguar që ata kanë arritur t’ia dalin dhe të shndërrohen në personazhet e suksesshëm që ne duam dhe nga të cilët frymëzohemi sot.
Behgjet Pacolli
Duket sikur biznesmenët më të mëdhenj në vend, duke pëfshirë këtu dhe Behgjet Pacollin, e kanë nisur të gjithë nga një pikë. Më pak para në xhep, por me një guxim që dallon sipërmarrësit më të suksesshëm, Pacolli ka arritur të shndërrohet në një nga njerëzit më të pasur në trojet shqiptare. Në një intervistë për Opinion, ai ka treguar sesi ia doli në Gjermani me ndihmën e një pronari të një lokali, në kohën kur nuk dinte as gjuhën.
”U ula aty dhe ai më dha jo një, por dy pica me coca-cola. Më pas, unë e ndihmova të fshinte lokalin dhe kështu u bëmë pak miq. Kuptova që ai ishte shefi i lokalit dhe më tha se do më ndihmonte. Më punësoi aty rreth tre muaj dhe më ndihmoi të regjistrohesha në kursin e gjuhës gjermane”, tregon sipërmarësi I njohur.
Samir Mane
Një emër gjithashtu shumë i njohur në botën e biznesit është dhe Samir Mane, biznesmeni që përfaqëson një historit të vërtetë suksesi. Ai ka rrëfyer për moderatorin Blendi Fevziu se e ka nisur karrierën duke shitur ora të përdorura. Edhe pse fitimi ishte në shumë të vogla, pasi një gjë e tillë ishte e paligjshme, ai shprehet se guximi nuk i mungonte as në atë kohë, as tani.
Sinan Hoxha
Është padyshim një nga këngëtarët më të kërkuar jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku jetojnë shqiptarë. Prej më shumë se 15 vjet në skenë, Sinan Hoxha është kthyer në artistin e dashur dhe të suksesshëm, por në fillimet e tij, puna që bënte, s’kishte aspak lidhje me skenën. Në emisionin “Xing” ai ka zbuluar se dikur zotëronte një furrë buke.
“Kam punuar furrxhi, bëja bukë”, ka thënë këngëtari.
Dua Lipa
Suksesi i saj del jashtë kufijve të Shqipërisë dhe në një periudhë kohore prej dy vitesh ajo tregoi se talenti dhe puna shpërblehen. Por, Dua Lipa ka ditur të bëjë dhe punë të tjera, ku jo domosdoshmërisht i duhej të tregonte fuqinë vokale.
“Kam punuar si mikpritëse e të ftuarve në një restorant meksikan, megjithëse kurrë nuk më kanë pëlqyer restorantet meksikane. Shumë njerëzit deheshin, dhe pikërisht në ato momente më vinte të hoqja dorë nga ajo punë”, ka thënë Dua për revistën Spin, bën me dije Anabel.al
Agron Llakaj
E ka filluar punën që në moshën 13-vjeçare, por humorin e ka patur gjithmonë pikë të fortë. Aktori i njohur Agron Llakaj, ka punuar kur ishte shumë i ri në ndërtim dhe më pas në minierën e qymyrgurit në Memaliaj. Siç tregon vetë aktori, kjo punë ishtë shumë e vështirë dhe e mundimshme, por i mësoi atij vlerën e të punuarit. Sot, Agron Llakaj është një nga fytyrat më të dashura të ekranit për të gjitha moshat.
Ermal Mamaqi
Në një intervistë prekëse për Arjan Çanin, Ermal Mamaqi ka dalë jashtë kornizës së tij si humorist për të rrëfyer fëmijërinë e vështirë. Ai ka zbuluar se pas pezullimit nga puna të së ëmës, Ermali, vetëm 12 vjeç, është detyruar të punojë si shitës cigaresh në rrugë.