Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar partitë opozitare për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
E pas kritikave të kryeministrit, kanë reaguar nga partitë opozitare PDK, LDK e AAK.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se nëse ekziston dikush që e ka bërë shtetin joserioz, është pikërisht Qeveria.
“Kryeministër thatë që ky mos votim po e bënë shtetin joserioz në raport me ndërkombëtarët, e vërteta është që këtë shtet nëse e ka bërë me u duk jo serioz në raport me ndërkombëtarët ndokush në Kosovë ndonjëherë jeni ju personalisht”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se opozita nuk e ka asnjë përgjegjësi për faktin që Kosova sot ndodhet nën masa sanksionuese nga BE dhe SHBA.
“Jeni ju personalisht dhe qeveria juaj”, tha Krasniqi, derisa shtoi se “kërkoni konstruktivitet nga opozita, kur qasja juaj mund të jetë gjithçka vetëm konstruktive nuk ka qenë që nga dita që keni marrë detyrën e kryeministrit”.
Krasniqi shtoi tutje se Kurti nuk është duke u brengosur për asnjë kategori në Kosovë.
“Nuk je tu u brengos për asnjë kategori në Kosovë, e dëshmuat para pak minutash ku e keni gojën plot për policinë e nuk ishit në gjendje me votu një rezolutë. Ti je shembulli më i keq i opozitarit që ka pas Kosova ndonjëherë”, tha Krasniqi.
Deputeti Armend Zemaj ka thënë se Vetëvendosja nuk mund t’i tregojë LDK-së se çfarë do të thotë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.
“T’i tregosh LDK-së se çka do të thotë votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ‘është si ai fëmija i papjekur që i thotë babës së vetë, hajde babë t’i tregoj mexhat. Këtu i ke dëshmitë se me kë i ke kaluar marrëveshjet”, ka thënë ai.
Zemaj tutje iu drejtua Kurtit me “vazhdoni me sfilata, populizëm, demagogji por kjo nuk ju bënë nder. Mos u mundo fajin tuaj tua hedhësh opozitës”
Në anën tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se “po harrojmë a jemi në Kuvend apo teatër nganjëherë”.
“Kryeministër mirë që i ke mësu ligjet edhe Kushtetutën, sepse kur ke qenë në opozitë nuk e ki dit çka parasheh Kushtetuta. S’mundesh me akuzua opozitën sot”, tha Kadijaj.
Ajo shtoi se është turp që nuk u votua rezoluta për Policinë e Kosovës.
“Rezolutën për policinë në situatën në të cilën gjendet Kosova, ju nuk e votuat, kjo është turp se çfarë po bëni. Jeni sanksionuar edhe nëse votohen këto marrëveshje ndërkombëtare nuk lejohen të implementohen”, tha deputetja e AAK-së. /Telegrafi/