Site icon Telegrafi

Shefi i NASA-s bën thirrje për hetim mbi raportin se Musk dhe Putin kanë folur “rregullisht”

Shefi i NASA-s Bill Nelson ka bërë thirrje për një hetim mbi raportin e Wall Street Journal se themeluesi i SpaceX Elon Musk dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë qenë në “kontakt të rregullt” që nga fundi i vitit 2022.

Bëhet e ditur se raporti, i cili tha se Musk dhe Putin kanë diskutuar mbi “tema personale, profesionale dhe tensione gjeopolitike”, ngre shqetësime për sigurinë kombëtare.

Kjo pasi SpaceX ka qasje në informacione të ndjeshme të qeverisë dhe inteligjencës amerikane, për faktin se mban marrëdhënie me NASA-n dhe ushtrinë amerikane.

“Nuk e di nëse ajo histori është e vërtetë. Mendoj se duhet hetuar”, tha Nelson.

“Nëse historia është e vërtetë se ka pasur biseda të shumta mes Elon Musk dhe presidentit të Rusisë, atëherë mendoj se kjo do të ishte shqetësuese, veçanërisht për NASA-n, për Departamentin e Mbrojtjes dhe për disa nga agjencitë e inteligjencës”, shtoi ai.

Musk ka luajtur një rol kyç në konfliktin në Ukrainë

Ndryshe, që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në fillim të vitit 2022, mbështetja e Musk për Ukrainën – e ilustruar nga ofrimi i shërbimeve Starlink të SpaceX – është zvogëluar pasi deklaratat e tij publike për konfliktin janë përafruar me ato të Trumpit, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Siç raportohet, terminalet e internetit satelitor të ofruara nga SpaceX kanë qenë një burim jetik komunikimi për ushtrinë e Ukrainës, duke e lejuar atë të luftojë dhe të qëndrojë e lidhur edhe kur rrjetet të janë shkatërruar.

Pasi Musk njoftoi mbështetjen e tij të hershme për Ukrainën, SpaceX i kërkoi Pentagonit të paguante dhjetëra miliona dollarë në muaj për të financuar Starlink në Ukrainë dhe për të hequr barrën nga SpaceX.

Në përgjigje të atij raportimi, miliarderi më pas zbuloi se kishte tërhequr kërkesën për financim.

Në të njëjtën kohë, Musk përdori një sondazh në X për të sugjeruar një plan “Paqe Ukrainë-Rusi” që përfshinte ribërjen e zgjedhjeve “nën mbikëqyrjen e OKB-së” në rajonet e vendit të aneksuara së fundmi ilegalisht nga Rusia.

Pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vuri në pikëpyetje preferencën e Musk në luftë, sipërmarrësi i teknologjisë u përgjigj se ai “ende mbështet shumë Ukrainën”, por kishte frikë nga “përshkallëzimi masiv”. /Telegrafi/

Exit mobile version