Manchester City tashmë e ka filluar operacionin “Lionel Messi”.
Shefat e klubit anglez besojnë se superylli argjentinas mund të largohet nga Barcelona në sezonin e ardhshëm, prandaj kanë përgatitur një pako mbresëlënëse financiare për transferimin e tij.
Qëllimi fillestar është thyerja e rekordit për lojtarin më të shtrenjtë në histori duke paguar 100 milionë funte për kartonin e tij, ndërkaq ai do të paguhet 500.000 funte në javë.
Burimet pranë shefave në Etihad thonë se angazhimi i Pep Guardiolas u ka dhënë atyre një mundësi shumë të mirë për ta angazhuar njërin prej futbollistëve më të mirë në botë, transmeton Telegrafi.
Sipas Sunday Mirror Sport, besimi i tyre për transferimin e Messit tash është shumë më i madh, kjo për faktin se ai ka refuzuar ta zgjasë kontratën me Barcelonën.
Guardiola e ka bërë publike kërkesën e tij drejt 29-vjeçarit që t’i bashkohet Cityt. Dhe lajmi se sulmuesi është duke e shqyrtuar të ardhmen e tij dhe ngecja në bisedimet për rinovim me Blaugranët, u ka dhënë zemër përfaqësuesve të ‘Citizens’ se mund t’i sigurojnë shërbimet e tij.
Messit i kanë mbetur edhe 18 muaj në kontratën e tij, e cila ka një klauzolë prej 250 milionë eurosh për t’u prishur. Mirëpo, shefat e Barcës janë të vetëdijshëm se nëse nuk arrijnë ta bindin superyllin e tyre që të rinovojë, atëherë ose duhet ta shesin në verën që vjen ose do ta humbin pa para në vitin 2018. /Telegrafi/