Site icon Telegrafi

Çështja e targave, SHBA shpreson për një marrëveshje Kosovë-Serbi në ditët në vijim

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Kosova dhe Serbia “të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim me mbështetjen e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian”.

BE-ja ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në veriun e Kosovës, të cilën zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano nuk tha se kur mund të ndodhë takimi por shfaqi shpresën se ai duhet të ndodhë shumë shpejt. Pasditja e së dielës apo mëngjesi i së hënës janë përmendur si periudhë e mundshme e takimit.

Stano tha se synimi është gjetja e një zgjidhjeje evropiane.

“Pikërisht ky është qëllimi, që t’i kemi ata në Bruksel për të diskutuar me ta për rrugëdaljen. Shpresojmë se do të mund të vijnë shumë shpejt në mënyrë që të mund të merremi me çështjet, siç ka thënë Josep Borrell, përpara datës 21 dhe jo më pas”, tha zoti Stano.

“Ne po i mbështesim në mënyrë aktive këto përpjekje”, tha ndërkaq zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, për Zërin e Amerikës.

Aktualisht zyrtarët evropianë janë duke zhvilluar diskutime të dendura me të dyja palët për tejkalimin e situatës në veriun e Kosovës ku përfaqësuesit e serbëve braktisën institucionet e vendit, pasi autoritetet e Kosovës filluan me një nëntor zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje dhjetë muajshe.

Sipas vendimit të qeverisë nga 21 nëntori fillon periudha e gjobitjes së atyre që nuk i kanë konvertuar targat e makinave, ndërsa përfaqësuesit e serbëve në veri kanë paralajmëruar rezistencë në rast të shqiptimit të gjobave.

Kjo ka ngritur shqetësimin e zyrtarëve perëndimorë të cilët thonë se situata është në prag të një krize tjetër dhe duhet gjetur një rrugëdalje përmes një qasjeje strukturore.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten gjatë një vizite në Estoni se ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministren estoneze, Kaja Kallas, ai tha se Beogradi ka urdhëruar të gjithë serbët në veri të Kosovës të japin dorëheqje nga institucionet.

“Jemi duke bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive, dhe në ditët në vijim do të shohim sa do të jemi të suksesshëm në këto negociata të reja”, tha kryeministri Kurti.

Në Prishtinë drejtori i organizatës Aktiv me seli në veriun e Mitrovicës, Miodrag Miliçeviç, tha se kriza në veriun e Kosovës e ka zhvendosur vëmendjen nga bisedimet politike dhe duhet të gjendet një zgjidhje apo model që do të jetë i pranueshëm dhe i zbatueshëm për tejkalimin e situatës në veri. Ai i bëri këto komente gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Momentumi i ri në raportet Kosovë – Serbi: Cila është rruga përpara?”

“Është e qartë se nuk ka dialog, është e qartë se dialogu aktual po zhvillohet në fakt për të eliminuar krizën aktuale dhe për të gjetur një zgjidhje të përkohshme të konfliktit në veri. Në fakt ky është problem edhe për institucionet në Prishtinë dhe kërcënon më tej destabilizimin e situatës edhe brenda Kosovës”, tha ai.

Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që u bë i njohur si nisma franko-gjermane. Zyrtarët evropianë kanë thënë se të dyja palët nuk e kanë refuzuar propozimin.

Shefja e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari Lila tha sot se propozimi evropian përmban dy procese për zgjidhjen e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Faza e parë është ajo e cila merret me të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura e natyrisht edhe me avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës por nuk e përmban njohjen reciproke. Faza e dytë është faza e cila tutje synon njohjen dhe normalizimin e plotë”, tha ajo.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se propozimi evropian është një bazë e vlefshme për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. /VoA/

Exit mobile version