Telegrafi

SHBA miratoi dërgimin e aeroplanëve F-16 në Ukrainë përmes Danimarkës dhe Holandës

SHBA ka miratuar dërgimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda sapo të përfundojë trajnimi i pilotëve, thotë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër të parë nga agjencia e lajmeve Reuters.

Uashingtoni do të përshpejtojë miratimin e kërkesës për transferimin e F-16, sipas letrës, dërguar kolegëve të Blinken në Danimarkë dhe Holandë. SHBA duhet të miratojë transferimin e aeroplanëve ushtarakë të aleatëve të saj në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

“Po shkruaj për të shprehur mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për transferimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë dhe për trajnimin e pilotëve ukrainas nga instruktorë të kualifikuar të F-16. Është e rëndësishme që Ukraina të mund të mbrohet nga agresioni rus dhe shkeljet e sovranitetit të saj”, tha Blinken në letër.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, miratoi programet e trajnimit për pilotët ukrainas F-16 në maj. Përveç Danimarkës, qendra e trajnimit do të ngrihej edhe në Rumani. Rusia iu përgjigj miratimit duke pretenduar se dorëzimi i F-16 në Ukrainë përbën një “rrezik kolosal” për vendet perëndimore.

Një koalicion prej 11 vendeve është planifikuar të fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për të pilotuar F-16 në Danimarkë këtë muaj. Ministri në detyrë i mbrojtjes i Danimarkës, Troels Poulsen, tha në korrik se shpresonte të shihte “rezultatet” e trajnimit në fillim të vitit 2024.

Miratimi i SHBA-së vjen një ditë pasi Ukraina tha se nuk do të jetë në gjendje t’i operojë me aeroplanët deri në vjeshtë ose dimër bazuar në afatet kohore aktuale. /Telegrafi/